03.02.2022.

Nënshkruhet marrëveshja për rehabilitimin elektromekanik të hidrocentralit të Fierzës

TIRANË, 28 janar /ATSH-I. Vata/ U nënshkrua sot marrëveshja për rehabilitimin elektromekanik të Hidrocentralit të Fierzës.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Ergys Verdho dhe drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë, Brit Horschke, në një ceremoni në prani të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe ambasadorit gjerman Peter Zingraf.

Projekti parashikon ndërhyrjen në turbinat 1 dhe 3 të HEC-it Fierzë si dhe rehabilitimin e plotë të gjeneratorëve të të katër turbinave në këtë HEC. Kjo ndërhyrje do të forcojë kapacitetet menaxhuese dhe operuese të KESH-it, veçanërisht në lidhje me rolin e tij në të ardhmen si ofrues energjie në tregun e liberalizuar të energjisë shqiptare dhe në rajon.

Dy marrëveshjet e grantit në fushën e energjisë janë me vlerat 8.35 milionë euro dhe 2 milionë euro të cilat janë pjesë e paketës mbështetëse edhe të marrëveshjes së huasë që u nënshkrua në fund të vitit të kaluar prej 40 milionë euro. Grantet e dhëna nga BE do të ofrohen nga KfW. KfW dhe Fondi i Përbashkët i BE-së, kanë objektiv të përgjithshëm  investimin për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës mbështetur në marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar më 27 janar 2021.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se financimi i dy granteve për financimin madhor të rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës, është një projekt në kuadër të gjithë investimeve që qeveria shqiptare ka kryer në një nga sektorët kyç të ekonomisë siç është ai i energjetikës.

“Reformimi i këtij sektori mbetet prioritet strategjik i qeverisë shqiptare dhe për këtë arsye performanca dhe angazhimi është i mbështetur gjerësisht në partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi i kësaj reforme është krijimi i tregut të organizuar sipas modelit të BE-së i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimi i të qenit transparent, jo diskriminues. BE është një një nga partnerët me të rëndësishme ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare i cili na ofron çdo vit një mbështetje mbi 100 milionë euro ndihmë për procesin e hartimit dhe miratimit të një sërë reformash institucionale dhe ekonomike në përputhje me angazhimet tonë në rrugëtimin në BE”, tha ajo.

Ibrahimi shtoi se nga ana tjetër Gjermania është një tjetër alet i rëndësishëm me të cilin na lidh një marrëdhënie e shkëlqyer dypalëshe. “Mbështetja ndaj Shqipërisë mbetet e fortë në rrugëtimin tonë drejt BE-së”, vijoi ajo.

“Konkretisht ky bashkëpunim i frytshëm ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e sektorit të energjisë, Ujësjellës Kanalizime dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Vlera e angazhuar nga KfW ndër vite është 778.6 milionë euro ku peshën më të madhe e zënë investimet në sektorin e energjisë rreth 40 %, sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve 36 % dhe mbështetje buxhetore me 12.8 % dhe sektorët e tjerë 11.8 %”, tha Ibrahimi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e saj tha se sot kur në të gjithë  botë flite për një krizë energjetike e cila nuk ka të bëjë vetëm me çmimet e larta që po aplikohen, por ka të bëjë me mungesën e sasisë energjetike në treg, të investosh në kapacitete energjetike është një nga veprimet më të rëndësishme.

“Kjo krizë ka prekur dhe Shqipërinë dhe padyshim situata e krijuar dihet tashmë. Javët e fundit kemi qenë në komunikim me qytetarët tanë pasi sasia energjetike që tregu ka kërkuar është diku 90 % më e lartë se ajo zakonisht kërkon. Pra nga 14 mijë megavat-orë kemi arritur ditë e fundit në 20 mijë megavat-orë, sigurisht për shkak të të ftohtit, por dhe  të rifillimit të jetës së postpandemisë”, tha ajo.

Balluku shtoi se qeveria shqiptare në kuadër të kësaj krize ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur abonentët familjarë, bizneset e vogla por sigurisht edhe bizneset e mesme të lidhura në tensionin e mesëm.

“Kjo ka një kosto për qeverinë, por si gjithmonë ashtu siç e kemi bërë në kohë krize ne nuk i kemi lënë vetëm qytetarët. Por dhe partnerët tanë nuk na kanë lënë kurrë vetëm. Kështu që Fierza, njësia gjeneruese më e madhe në Shqipëri është ndërtuar në vitet ’78-’82 dhe çdo pajisje mekanike që funksionon sot i përket asaj kohe. Fierza mbulon 22 % të nevojave në vend me energji 1328 gigavat për sasi vjetore. Instalimet teknologjike janë të vjetra dhe tregojnë për një gjendje jo të mirë teknike, që kaluan një kapacitet të humbur rreth 4 % të energjisë vjetore”, tha ajo.

Balluku shtoi se të katër gjeneratorët e Fierzës janë të një teknologjie të vjetër dhe nëpërmjet financimit nga kjo marrëveshje bëhet i mundur zëvendësimi i tyre i plotë. Ndër të tjera do të rehabilitohet dhe zëvendësimi i dy vinçave të makinerive.

“Të gjitha këto ndërhyrje do të mundësojnë rritjen e eficiencës të prodhimit e energjisë nga Fierza”, tha ajo.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u shpreh krenar për firmosjen e investimit midis BE- Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW për rehabilitimin dhe shtimin e kapacitetit të hidrocentralit të Fierzës.

“Do të sigurohet furnizimi me energji për më shumë se 200 mijë familje. Një kontribut konkret i BE-së përmes grantit prej 8.35 mln €, për të përforcuar sigurinë energjetike të Shqipërisë. Rehabilitimi i Fierzës është i një rëndësie strategjike për Shqipërinë dhe rajonin. Një projekt i rëndësishëm i përzgjedhur nga Plani Ekonomik i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe një pikë kyçe në kontributin për të përmbushur Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Nga ana e tij, ambasadori gjerman Peter Zingraf u shpreh se rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës është një nga projektet kryesore të Economic Investment Plan for the Western Balkans të Bashkimit Evropian.

“Kjo do të rrisë jetëgjatësinë prodhuese të një prej hidrocentraleve më të rëndësishme të vendit me të paktën 30 vjet. Me përmirësimin e eficiencës së tij do të rritet prodhimi i energjisë elektrike, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë energjetike të Shqipërisë. Gjermania jep një hua prej 40 milionë euro dhe një grant prej 2 milionë euro nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Bashkimi Evropian mbështet me një grant prej 8.35 milionë euro në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ambasadori gjerman Peter Zingraf.