08.02.2022.

EULEX-i i dhuroi Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë materiale të nevojshme për prodhimin e karrigeve

Më 28 janar, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dhuroi Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë shufra metalike, pëlhurë, dërrasa, sfungjer dhe sende të tjera të nevojshme për prodhimin e karrigeve, si pjesë e një programi për risocializimin e të burgosurve që synon mbështetjen e rehabilitimit dhe riintegrimit të burgosurve në shoqëri duke u ndihmuar atyre që të zhvillojnë aftësi gjatë vuajtjes së dënimit.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, Benasim Medic, e priti Shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski dhe Monitoruesin Korrektues Petri Ravander dhe diskutuan për çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e të burgosurve. Medic e falënderoi EULEX-in për këtë donacion, duke thënë se një grup multietnik prej gjashtë të burgosurve do të jetë në gjendje të prodhojë përafërsisht 130 karrige që do të shpërndahen kryesisht në objektet tjera të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Duke qenë se objekti është i vogël, ekziston nevoja për të organizuar aktivitete të tilla dhe për t'u ofruar mundësi të burgosurve që të punojnë dhe të fitojnë aftësi për zdrukthtari dhe farkëtari, në mënyrë që ata të mund të riintegrohen më lehtë në shoqëri pasi ta kryejnë dënimin e tyre”, shtoi Medic. Deri më sot, të burgosurit kanë prodhuar më shumë se 600 karrige.  

EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar që ta mbështesë Shërbimin Korrektues të Kosovës në përpjekjet e tij për ta lehtësuar rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve në shoqëri. Në korrik të vitit 2021, EULEX-i dhe UNMIK-u e mbështetën krijimin e një furre   buke në Qendrën Korrektuese në Lipjan, e cila synon fuqizimin e grave që janë duke e vuajtur dënimin atje duke i mësuar se si ta drejtojnë një furrë buke dhe si të gatuajnë bukë dhe brumëra tjera.