35 mikrobiznese në zonën e Astirit të prekura nga tërmeti dhe pandemia janë mbështetur për t’u ringritur ekonomikisht

35 mikrobiznese në Astir, të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia COVID19, janë mbështetur nga UNDP dhe Bashkia e Tiranës, me anë të metodologjisë “In Motion”. Metodologjia “In Motion”, e testuar nga UNDP në vende të tjera të botës që kanë kaluar fatkeqësi natyrore, mbështet sipërmarrjet mikro dhe të vogla përmes këshillimit teknik të personalizuar për të përmirësuar aftësitë menaxhuese të pronarëve të bizneseve, modernizimit të imazhit tregtar dhe me grante të vogla për të ripërtërirë pajisjet e biznesit të dëmtuara gjatë fatkëqësive.

Për një periudhë 4 mujore, 35 bizneset që u bënë pjesë e “In Motion” pas një vlerësimi të situatës socio-ekonomike të tyre, morën pjesë në trajnime në grup dhe këshillime të personalizuara individuale nga ekspertë të biznesit dhe të imazhit tregtar. Trajnimet kanë përfshirë çështje që lidhen me përmirësimin e modelit të biznesit, financat, shitjet, marketingun. Bizneset janë trajnuar se si mund të aplikojnë në bizneset e tyre, koncepte të rëndësishme si:  planikimi dhe organizimi i biznesit, standardet dhe cilësia, monitorimi i aktiviteteve, financat, marketingu, shërbimi ndaj klientit etj. 

Për të maksimizuar efektet e asistencës teknike dhe mbështetjen, “In Motion” ka mundësuar pajisje/makineri të reja për bizneset e tyre, si dhe një imazh të ri e të pëmirësuar tregtar.

Bizneset pjesë e In Motion përfshijnë: mini markete, rrobaqepësi, parukeri, mezeri, etj. Në muajt e parë pas mbështetjes, këto biznese kanë fituar aftësi më të mira menaxheriale për të drejtuar bizneset e tyre, kanë raportuar të ardhura në rritje si dhe shtim të numrit të punonjësve.

Gjatë një vizite në këto biznese, Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Znj. Keti Luarasi dhe Zv. Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP në Shqipëri Z. Nuno Queiros panë nga afër sesi kjo metodologji i ka ndihmuar bizneset për t’u rritur dhe përballur me sfidat e tregut pas pandemisë.

In Motion Astir është pjesë e projektit “Rimëkëmbja Ekonomike dhe Qëndrueshmëria” (ERR), zbatohet nga UNDP dhe mbështetet nga Bashkia Tiranë. ERR financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria Hollandeze.