Hapet një qendër e re që ofron Shërbimin e Ndihmës Juridike Parësore Falas në Elbasan

Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë në partneritet me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit dhe mbështetur nga PNUD dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim inauguruan sot një Qendër të re të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Falas. Qendra do të ofrojë ndihmë juridike parësore falas dhe do të punojë për të siguruar që kategoritë vulnerabël në Elbasan të kenë akses të barabartë në këshillim, informacion dhe përfaqësim ligjor.

Eventi u zhvillua nën prezencën e Zv/Ministres së Drejtësisë, Znj. Adea Pirdeni, Ambasadorit të Austrisë në Tiranë, Dr. Christian Steiner, Përfaqësueses së Përhershme të PNUD-it në Shqipëri, Znj. Monika Merino dhe Kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu përfaqësues nga institucionet publike kombëtare dhe vendore, së bashku me punonjësit e qendrës së ndihmës juridike falas dhe anëtarë të organizatave të shoqërisë civile.

Zv/Ministrja i Drejtësisë, Ambasadori Austriak dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe një kuadri ligjor gjithëpërfshirës që garanton ndihmën juridike falas të papenguar si një shërbim publik thelbësor dhe e drejtë themelore, e cila forcon shtetin e së drejtës dhe garanton zbatimin e të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri.

Zgjerimi i shërbimit të ndihmës juridike falas për njerëzit që kanë më shumë nevojë për të, ka marrë një rëndësi të madhe veçanërisht duke konsideruar kërkesën gjithnjë e më të lartë për këtë shërbim në tre vitet e fundit.

Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Dr. Christian Steiner nënvizoi: “Një shërbim i paanshëm, profesional dhe efikas i ndihmës juridike falas, si dhe shërbimet e ndërmjetësimit që i përgjigjen dhe përmbushin nevojat e qytetarëve do të çojnë në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë dhe institucionet e tij”.

Znj. Monika Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri tha: “Në kuadër të projektit EFLAS, PNUD po punon me partnerë për forcimin e kuadrit institucional dhe zgjerimin e shërbimit në rajone të ndryshme të vendit. Puna jonë shkon gjithashtu drejt forcimit të kapaciteteve të ofruesve të shërbimit të ndihmës juridike falas për të zbatuar në mënyrë efektive legjislacionin e ndihmës juridike falas, si dhe për të kontribuar në konsolidimin dhe zgjerimin e këtij shërbimi në rajonet e tjera të Shqipërisë.

Gjatë periudhës janar 2021 – qershor 2022, tetë Qendra të Ndihmës Juridike Falas të mbështetura nga PNUD Shqipëri në Durrës, Fier, Lezhë, Dibër, Shkodër, Pogradec, Vlorë dhe Gjirokastër kanë ofruar shërbim të ndihmës juridike falas për 3 356 qytetarë në nevojë, nga të cilët 1714 gra dhe 1642 burra.
Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas në Elbasan është Qendra e nëntë e hapur me mbështetjen e PNUD Shqipëri në kuadrin e Projektit “Zgjerimi i Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas për Gratë dhe Burrat në Shqipëri” (EFLAS). Projekti financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe zbatohet nga PNUD në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.