17.08.2022.

Ceremonia e dhënies së granteve, gjashtë bashkitë fituese firmosin kontratat

Gjashtë bashki shqiptare janë fituese në thirrjen e parë të skemës së granteve të “BE për Bashkitë” të financuar nga Bashkimi Evropian.  Me mbështetjen prej 1.1 milion euro, Bashkimi Evropian përmes kësaj skeme grantesh mbështet direkt ndërtimin, rivitalizimin dhe restaurimin e 11 objekteve arsimore, sociale, kulturore dhe tregtare në bashkitë Mat, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Pukë dhe Përmet ku përfitues kryesor janë të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël.

Projektet fituese u prezantuan përgjatë ceremonisë së firmosjes së granteve e organizuar në Bashkinë Mat me pjesëmarrjen e përfaqësueseve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, kryetarëve të bashkive dhe partnerëve të projektit “BE për Bashkitë”.

Në fjalën hapëse të kësaj ceremonia, drejtuesja e Sektorit të Qeverisjes së Mirë, Drejtësisë dhe Zbatimit të Ligjit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, znj. Lenka Vitkova theksoi rritjen e asistencës së BE-së ndaj pushtetit vendor në Shqipëri, e cila vjen si një nevojë për fuqizimin e kapaciteteve të bashkive pasi ato  janë aktorët më të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.

“Roli i njësive të qeverisjes vendore për procesin e integrimit evropian mbetem me rëndësi pasi 3/4 e legjislacionit evropian zbatohet në nivel vendor. BE-ja ka rritur asistencën financiare në  34 milionë euro për bashkitë shqiptare dhe ka zgjeruar diapazoni e kësaj ndihme për bashkitë. Në këtë fazë është shumë e rëndësishme për ne që të merremi me zhvillimin e kapaciteteve, në mënyrë që bashkitë të jenë të afta të zhvillojnë dhe zbatojnë projektet për të kontribuar në procesin e integrimit evropian”- tha ndër të tjera znj. Vitkova.

10% e vlerës së granteve për projektet fituese vjen edhe nga qeveria qendrore nëpërmjet bashkëfinancimit. Drejtori  i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, z. Enea Hoti, në fjalën e tij garantoi se qeveria është gati për të alokuar të ardhurat për të gjitha bashkitë fituese në këtë thirrje ashtu si dhe shumë shpejt për bashkitë fituese në thirrjen e dytë.

I pranishëm në këtë ceremoni z. Kelmend Zajazi, drejtuesi i NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, vlerësoi kontributin e BE-së për të mbështetur skemën e granteve të “BE për Bashkitë”  si një projekt pionier i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

“Ne jemi këtu të krijojmë një trend të ri që së bashku me shoqatat e bashkive dhe delegacionin e BE-së të krijojmë programe dhe instrumente të tjera për përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve vendore, kjo është ajo çfarë presin qytetarët dhe të rinjtë.  Zbatimi i projekteve nga programet e tilla ka një rëndësi të shumëfishtë dhe sidomos për vendet që kërkojmë që të bëhen pjesë e BE-së pasi ato nuk kanë nevojë të fillojnë nga zero, por përgatiten që tani njëlloj si vendet e tjera të BE-së”- deklaroi Zajazi.

Ndërkohë, aktivitetin e përshëndeti dhe znj. Adelina Farici, drejtuese e Shoqatës për Autonominë Vendore dhe z. Agron Haxhimali, drejtues i Shoqatës së Bashkive në Shqipëri të cilët theksuan se asistimi për rritjen e kapaciteteve të bashkive dhe mbështetja me grante ka qenë një nevojë e hershme e pushteti vendor për të zbatuar projekte në dobi të komuniteteve të tyre.

Ceremonia e ndarjes së granteve u përmbyll nga z. Orlando Fusco, Menaxher Programi në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, i cili tha se: “Menjëherë pas miratimit të strategjisë së decentralizimit shtatë vite më parë, Bashkimi Evropian ka filluar mbështetjen ndaj bashkive shqiptare dhe fokusi i kësaj ndihme fillimisht ishte rritja e kapaciteteve të bashkive. Aktiviteti ynë u shtri në krijimin e këndeve të Bashkimit Evropian dhe ne menduam të gjenim një mënyrë tjetër të reagimit siç është kjo përmes granteve që e dëshmon edhe projekti “BE për Bashkitë”.

Mbështetje me grante dhe asistenca e vazhdueshme e projekti “BE për Bashkitë” për ngritjen e kapaciteteve përbën një moment të rëndësishëm për bashkitë në Shqipëri, pasi për herë të parë ato do të keni mundësi të zbatojnë projekte për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve vendore në dobi të komuniteteve lokale duke i përfaruar ato me standardet evropiane.

Sipas drejtuesit të projektit z. Elton Stafa ky projekt mbështet bashkitë në zbatimin e planeve te tyre strategjike dhe në të njëjtën kohë krijon kapacitetet për menaxhimin e asistencës financiare të BE-së.

“Cilësia e jetesës që përjetohet nga çdo banor në zonat urbane dhe rurale në Shqipëri, përcaktohet në një shkallë të madhe nga cilësia e shërbimeve publike, infrastrukturës publike dhe hapësirave publike të krijuara dhe menaxhuara nga bashkitë. Ndaj jemi të lumtur që nëpërmjet dy thirrjeve të kësaj skeme grantesh ne do të transformojmë jetën e qytetarëve në 2/3 e bashkive në vend”- thekson z. Stafa.

Pas 6 bashkive fituese në thirrjen e parë, projekti “BE për Bashkitë” shumë shpejt pritet të shpall edhe 15 bashki të tjera fituese në thirrjen e dytë të skemës së granteve.

Për t’u njohur me gjashtë projektet fituese kliko këtu.