Përafrimi Ruso-Kinez në Çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës
Ky raport analitik bazohet në analizën e deklaratave zyrtare të zyrtarëve rusë dhe kinezë, deklaratave të përbashkëta, transkripteve të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, si dhe artikujve të publikuar në mediat ruse dhe kineze. Gjithashtu, ai mbështetet edhe në komente të shkurtra të ofruara nga ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, puna e të cilëve është e fokusuar në politikën e jashtme dhe ndikimin e huaj keqdashës. Raporti kryesisht mbulon periudhën 2020 – 2026, ndonëse jo në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Raporti po ashtu shqyrton një numër të kufizuar analizash dytësore nga burime të besueshme, të cilat përdoren për të ndihmuar në interpretimin e modeleve më të gjera. Pyetja kryesore hulumtuese së cilës synon t’i përgjigjet ky punim është: “Si dhe deri në çfarë mase Rusia dhe Kina i harmonizojnë narrativat e tyre politike, diplomatike, mediatike dhe strategjike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën?”
Kjo çështje e harmonizimit ndërmjet Kinës dhe Rusisë është duke u bërë edhe pjesë e një debati më të gjerë evropian. Komentari i kohëve të fundit ka trajtuar skenarë të mundshëm për atë se si Kina dhe Rusia mund të bëhen më këmbëngulëse gjatë periudhës së ardhshme, përfshirë përmes formave të ndryshme, por që përforcojnë njëra tjetrën, të presionit ndaj interesave dhe institucioneve perëndimore.17 Ballkani Perëndimor nuk është gjithmonë në qendër të këtyre diskutimeve, por ky rajon përbën një hapësirë të përshtatshme për të analizuar se si funksionon një harmonizim i tillë në praktikë. Rastet e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës tregojnë se Rusia dhe Kina nuk kanë nevojë të veprojnë përmes një aleance formale për të pasur efekt të përbashkët. Rusia mund të përdorë një gjuhë politike më të ashpër, lidhjet energjetike, narrativat e sigurisë dhe politikën e kujtesës kundër NATO-s, ndërsa Kina mund të mbështetet më shumë në gjuhën e sovranitetit, praninë ekonomike, mbështetjen diplomatike për Serbinë dhe një ton më të qetë publik. Megjithatë, rezultati prapëseprapë mund të jetë një presion i kombinuar ndaj konsensusit euroatlantik në rajon.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, baza e dëshmive është më e fuqishme në dimensionin e bashkërendimit ose harmonizimit ndërmjet Rusisë dhe Kinës lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo është më e kufizuar, por megjithatë relevante, në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa është shumë më e pakët kur bëhet fjalë për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo shpërndarje e pabarabartë e dëshmive në vetvete është e rëndësishme. Ajo sugjeron se harmonizimi ndërmjet Rusisë dhe Kinës në rajon mund të lidhet kryesisht me Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, në vend se të paraqes një modalitet të njëtrajtshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Një kufizim kyç i analizës dhe interpretimit tonë është se bashkërendimi i drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë dhe Kinës lidhur me ngjarje specifike në Kosovë është i vështirë për tu dëshmuar përmes burimeve publike. Të dhënat publike dëshmojnë shumë më qartë për konvergjencë dhe përforcim e tërthortë sesa për planifikimin formal të përbashkët. Një kufizim i dytë ka të bëjë me sulmin terrorist në Banjskë.18 Reagimi i Rusisë është i dokumentuar qartë, por në grupin e burimeve të përdorura për këtë analizë nuk është identifikuar ndonjë reagim parësor kinez po aq i qartë.
Përfundimi më i sigurt që del nga analiza jonë është se Rusia dhe Kina janë të përafruara për sa u përket efekteve që prodhojnë, ndonëse ky përafrim nuk shfaqet në të njëjtën masë dhe në të njëjtën mënyrë në nivelin e mekanizmave. Në diplomacinë publike, ato përafrohen vazhdimisht rreth të njëjtës gjuhë juridike dhe politike, duke theksuar sovranitetin, integritetin territorial, kundërshtimin ndaj “zgjidhjeve të imponuara”, kritikat ndaj rolit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, si dhe rezervat ndaj ndryshimeve institucionale në Ballkanin Perëndimor të mbështetura nga Perëndimi. Në diplomacinë shumëpalëshe, ato herë pas here veprojnë në mënyrë më të koordinuar dhe më të dukshme, siç shihet veçanërisht në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës19, në qëndrimet e tyre ndaj veprimeve të OKB-së dhe në gatishmërinë e Kinës për të mbështetur nisma procedurale ose tematike të promovuara nga Rusia, që kanë të bëjnë me trashëgiminë e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Megjithatë, në ekonominë politike rajonale, ky partneritet është asimetrik, pasi Kina perceptohet kryesisht si burim i financimit, projekteve infrastrukturore dhe pranie afatgjatë, ndërsa Rusia luan rolin e mburojës politike, të vetos diplomatike dhe të amplifikuesit të pakënaqësive ndaj Perëndimit.
Efekti i përafrimit ndërmjet Rusisë dhe Kinës është veçanërisht i dukshëm në Serbi. Beogradi mund të paraqitet formalisht si vend në procesin e anëtarësimit në BE, ndërkohë që në planin praktik vazhdon të thellojë marrëdhëniet e privilegjuara me Kinën dhe Rusinë. Pikërisht në një mjedis të tillë dobësohet konsensusi euroatlantik, përmes ruajtjes dhe kultivimit të paqartësisë rreth orientimit strategjik të vendit, çështje që është evidentuar me shqetësim edhe në Raportin e BE-së për Serbinë. Reuters e pasqyroi qartë këtë qasje kur Vuçiqi deklaroi se Serbia do të vazhdonte të balanconte lidhjet me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë, ndërkohë që synonte anëtarësimin në BE dhe arritje e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.20 Analizat e mëvonshme të Marina Vuloviqit nga SWP e lidhin nivelin e ulët të përafrimit të Serbisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ndër të tjera, me mbështetjen që Rusia dhe Kina i ofrojnë asaj në çështjen e Kosovës.
Mohim i përgjegjësisë: Pikëpamjet e shprehura në këtë dokument janë të autorit dhe nuk paraqesin medoemos pikëpamjet e Konrad-Adenauer-Stiftung. Ky botim i Konrad-Adenauer-Stiftung shërben vetëm për qëllime informative. Ai nuk mund të përdoret nga partitë politike ose nga aktivistët apo mbështetësit zgjedhorë për qëllime të reklamës zgjedhore.