29.10.2021.

Kina, jo Rusia, është kërcënimi më i madh për Kosovën

Rusia ka qenë mbrojtësja kryesore e Serbisë, duke ofruar asistencë në fushën e sigurisë dhe mbulim diplomatik që synojnë të minojnë shtetndërtimin e Kosovës dhe përpjekjet për të fituar njohje më të madhe globale.

Megjithatë, sot ndikimi i Rusisë po zbehet. Kina e ka mbushur këtë prishje me diplomaci ekonomike. Kosova dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor duhet ta pranojnë ndikimin në rritje të Pekinit dhe të ruhen nga aktivitetet e tij malinje.

Ballkani Perëndimor ka qenë përparësia strategjike e Rusisë që kur NATO ndërhyri për të parandaluar gjenocidin e shqiptarëve të Kosovës në 1999. Presidenti rus Vladimir Putin është ende i zemëruar nga momenti unipolar i Amerikës. Ai nuk motivohet nga solidariteti sllav, por nga antiamerikanizmi dhe armiqësia ndaj vlerave liberale perëndimore.

Rusia dhe Kina punojnë së bashku. Xi Jinping dhe Putin janë të bashkuar përmes ndjenjës së tyre të poshtërimit historik. Ata kundërshtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është një personalitet i etur për t’iu bindur atyre.

Kina e ka tejkaluar Rusinë si ndikimi autoritar kryesor në rajon. Ajo gjithashtu ka zëvendësuar Rusinë si mbështetësja e madhe e Serbisë. Ndërsa Rusia kërkon të nxisë kaosin dhe paqëndrueshmërinë, Kina po merr sistematikisht hapa për të integruar dhe kontrolluar ekonomitë e vendeve të Ballkanit.

Diplomacia e borxhit kinez

Flamuri i Malit të Zi dhe ai i Kinës. Foto ilustruese.

Ndikimi i Rusisë po zvogëlohet jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Mali i Zi iu bashkua NATO-s në vitin 2017 pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut. Rumania bllokoi dërgesën e armëve ruse në Serbi në korrik 2019. Një vit më pas, Serbia anuloi pjesëmarrjen e saj në stërvitjet ushtarake “Vëllazëria Sllave” me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Serbia dhe Kina, nga ana tjetër, kanë gjetur një gjuhë të përbashkët përmes Nismës Një Brez një Rrugë të Kinës, BRI. Financimi i saj i ngarkon vendet me borxhe dhe nxit korrupsionin. Kina përfiton duke siguruar burimet e nevojshme për rritjen e saj ekonomike. Mali i Zi është veçanërisht i prekshëm nga dëshira e egër e Kinës për të kontrolluar portet dhe infrastrukturën.

Financimi vjen me një kosto. BRI i bën vendet të jenë mirënjohës ndaj axhendës politike të Pekinit. Serbia mbështet goditjen kineze ndaj demokracisë në Hong Kong, abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe qëndrimin e saj të ashpër ndaj Tajvanit.

Ndërsa bashkëpunimi midis Serbisë dhe Rusisë ka avancuar, bashkëpunimi i sigurisë midis Rusisë dhe Serbisë është prishur. Megjithëse Serbia është vëzhguese në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia, ajo kreu 13 stërvitje ushtarake me NATO-n dhe vetëm katër me Rusinë në 2018. Rusia i tensionoi më tej marrëdhëniet me Serbinë duke transferuar gjashtë avionë luftarakë MIG-29, dhe më pas duke dërguar një faturë riparimi prej 185 milionë dollarësh. Serbët u zemëruan kur u shfaq një video ku shihej një oficer i GRU në ambasadën ruse në Beograd duke korruptuar një ish-zyrtar serb.

Serbia është në treg për pajisje të ndryshme ushtarake. Në gusht 2020, Serbia ra dakord për të blerë sistemin raketor anti-ajror kinez FK-3. Serbia gjithashtu zgjodhi sistemin portativ mbrojtës ajror të Francës, MANPADS, para teknologjisë ruse.

Në vitin 2019, tregtia e Serbisë me Rusinë dhe Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia përbënte vetëm tetë për qind të tregtisë së përgjithshme të Serbisë, me eksporte që arrinin në 5.4 për qind dhe importet në 9.4 për qind. Kina po provon të jetë një partner më i mirë ekonomik, duke siguruar 4 miliardë dollarë në investime direkte dhe mbi 5 miliardë dollarë në kredi dhe projekte infrastrukturore.

Huawei, gjiganti kinez i telekomunikacionit, është një instrument i politikës së jashtme dhe i sigurisë i Kinës. Si pjesë e “Rrugës digjitale të mëndafshit”, SHBA-ja e akuzon Huawei-n për avancimin e interesave të Kinës duke mbledhur informacione për qëllime inteligjence, diçka që Huawei e mohon. Huawei lehtësohet përmes kanaleve tregtare, si dhe Qendrës së Digjitalizimit dhe Inovacionit në Beograd. Përveç Serbisë, ajo ka një prani të madhe edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kina është gjithashtu e aftë në diplomacinë e vaksinave. Serbia fillimisht u mbështet te Sputnik, vaksina e Rusisë, për COVID-19. Sot ajo po thellon bashkëpunimin me Kinën  duke përdorur vaksinën Sinovac në përgjigje të pandemisë.

NATO duhet të pranojë Kosovën deri në vitin 2028

Flamuri i NATO-s.

Kapaciteti i Kinës është mbivlerësuar. Reputacioni i Xi është njollosur nga mungesa e transparencës mbi pandeminë e COVID-19. Mrekullia ekonomike e Kinës po ngadalësohet; ekonomia e saj po rritet me vetëm 6.6 për qind në 2018, norma më e ulët në 28 vjet. Popullsia e saj po plaket, duke ngadalësuar më tej zhvillimin ekonomik. Partia Komuniste Kineze përbëhet nga elita, të cilat zor se përfaqësojnë 1.4 miliardë kinezë.

Kosovës i duhet një përgjigje e ashpër ndaj synimeve malinje të Rusisë dhe Kinës. Ajo duhet të krijojë një ndër-agjenci “Grup i Planifikimit Strategjik për Rusinë dhe Kinën” për të studiuar aktivitetet e tyre dhe për të zhvilluar një reagim të duhur.

Ajo ka nevojë për një strategji dhe plan komunikimi rajonal. Kosova duhet të bashkëpunojë me fqinjët që mendojnë njësoj si ajo për të mbledhur dhe shkëmbyer informacione. Ajo gjithashtu duhet të zgjerojë bashkëpunimin me agjencitë perëndimore të inteligjencës.

SHBA-ja mund të ndërtojë forcat e armatosura të Kosovës përmes trajnimit dhe pajisjeve që plotësojnë standardet e NATO-s. Ajo duhet të marrë në konsideratë një Udhërrëfyes Bashkëpunimi për Mbrojtjen me Kosovën, të ngjashëm me marrëveshjet amerikane me shtetet baltike, ose një Traktat Mbrojtjeje të Ndërsjellë, të ngjashëm me marrëveshjen e SHBA-së me Korenë e Jugut, për të mbrojtur Kosovën nga kërcënimet e jashtme.

NATO mund të luajë një rol kryesor në ndërtimin e kapaciteteve të Kosovës, duke i dhënë Kosovës një rrugë të shpejt drejt Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe duke siguruar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO deri në vitin 2028.

Ndërsa Kina shton operacionet e saj malinje, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një strategji më efikase kundër-inteligjence. Ngritja paqësore e Kinës është një mit. Ndërsa Rusia është ende një rrezik, Kina po shfaqet si kërcënimi më i madh./reporter.al

Opinionet e shprehura janë ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.