17.01.2022.

Fushata derë më derë po rrit normat e vaksinimit ndërmjet komuniteteve të margjinalizuara

Një fushatë e mbështetur nga USAID mblodhi 135 vullnetarë të komunitetit në të gjithë vendin për të kontaktuar anëtarët e komuniteteve të margjinalizuara dhe për të ofruar informacion kritik mbi parandalimin dhe vaksinimin e COVID, duke arritur tek ata që mund të jenë anashkaluar – përfshirë ata që nuk dinë të lexojnë.

Rifadije Guci dhe Bahrije Rrahmani janë në mesin e shumë vullnetarëve që kontaktuan mbi 1,800 pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në komunat e Ferizajt, Lipjanit dhe Shtimes. Si rezultat i fushatës, rreth 550 anëtarë të komunitetit morën vaksinën kundër COVID-19.

Guci e kupton nga përvoja personale se shumë anëtarë të komunitetit të saj janë analfabetë dhe marrja e informacionit të saktë është sfiduese. Ajo vetë e la shkollimin fillor sepse familja e saj nuk e përballonte dot. “Shumica prej tyre na thanë se kishin frikë të vaksinoheshin. Ata thanë se kishin dëgjuar se kjo shkakton infertilitet. Ka pasur raste kur na është dashur të shkojmë deri në pesë herë në një familje derisa ata të binden që të vaksinohen.” Ajo shtoi se shpeshherë duhej t'u jepte dëshmi familjeve se edhe ajo ishte vaksinuar.

Rrahmani, student i drejtësisë, ndan histori të ngjashme. “Ne vumë re se ata nuk dinë shumë për vaksinën. Ne punuam shumë, por ishte një ndjenjë e mirë sepse rezultatet e saj ishin pozitive dhe bëri që shumë njerëz të kërkonin të merrnin vaksinat e tyre”, thotë Rrahmani.

Pengesat ndaj vaksinimit në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian shpesh shkojnë përtej mungesës së informacionit apo vetëdijes. Çdo kosto që lidhet me vaksinimin, duke përfshirë transportin, paraqet një pengesë.

Në koordinim me qendrat shëndetësore komunale, vullnetarët e komunitetit lehtësojnë procesin e vaksinimit duke organizuar transportin dhe aktivitetet lokale të vaksinimit. UNICEF në Kosovë, në partneritet me organizatat me bazë në komunitet në 14 komuna, udhëheq iniciativën për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 në mesin e komuniteteve të margjinalizuara dhe të cenueshme.