13.02.2022.

Evropa është këtu 2.0: Delegacioni i BE-së nis fushatën mbi mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot fushatën e komunikimit mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian po mbështet sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri, ndërsa vendi po përparon drejt bërjes Shtet Anëtar dhe shqiptarët qytetarë të ardhshëm të BE-së. 

Duke u mbështetur në fushatën më të gjerë “Evropa është këtu”, kjo valë e re do t’i informojë qytetarët për ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë - e cila arrin në një total prej 100 milionë euro çdo vit - me fokus të veçantë te mënyra se si të rinjtë e vendit, fermerët dhe sipërmarrësit e agrobiznesit po përfitojnë nga ndihma e BE-së përmes programit IPARD. 

Aktiviteti për nisjen e fushatës për bujqësinë dhe zhvillimin rural “Evropa është këtu 2.0” u zhvillua në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, si dhe pedagogëve e studentëve. 

Në fjalën e tij, Ambasadori Soreca tha: “Bujqësia është një fushë kyçe e mbështetjes së BE-së në Shqipëri. Arsyet janë të qarta. Jo vetëm që bujqësia ka një pjesë të veçantë në historinë dhe identitetin e Shqipërisë, por pothuajse 40% e popullsisë shqiptare jeton në zonat rurale dhe pothuajse gjysma e fuqisë punëtore shqiptare punon në bujqësi dhe sektorë të lidhur me të. Duke njohur rëndësinë e këtij sektori, vetëm në 5 vitet e fundit, që nga viti 2018, BE-ja ka vënë në dispozicion mbi 70 milionë euro për të mbështetur ekonominë rurale, agrobiznesin, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe peshkimin. Madhësia e këtij investimi e kualifikon BE-në – deri tani – si mbështetësin më të madh të sektorit agroushqimor shqiptar”. 

Ministria Krifca tha: “Iu bashkova sot ftesës së Ambasadorit Soreca për të thënë se Evropa është këtu, dhe e falënderoj që nisi këtë fushatë në Korçë. Kemi plot raste suksesi në këtë qark me rreth 25 për qind të financimeve të programit. Jam e kënaqur që hapi i parë i fushatës nisi në Universitetin “Fan Noli”, ku shumë prej studentëve të pranishëm do të jenë ekspertët e së nesërmes që do t’í shërbejnë bujqësisë. Asgjë nuk mund të bëhet mirë pa dije, prandaj kontributi juaj, të dashur studentë, do të jetë shumë i rëndësishëm. Ne synojmë të konkurrojmë në tregun evropian përmes cilësisë”. 

Mbështetja e BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri jepet kryesisht nëpërmjet programit IPARD, të zbatuar në emër të BE-së nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe strukturat e saj. Mbështetja kryesisht merr formën e granteve të drejtpërdrejta. Që nga viti 2018, më shumë se 400 fermerë dhe agrobiznese në Shqipëri kanë marrë grante të BE-së në kuadër të IPARD-it me një vlerë të përbashkët prej 50 milionë eurosh. 

Për informacion të detajuar në lidhje me mbështetjen e BE-së për sektorin e bujqësisë vizitoni www.euprojects.al(link is external), që mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja në Shqipëri. Për çdo projekt, faqja e internetit ofron informacion në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritura. Baza e të dhënave ka një ndërfaqe miqësore për përdoruesit dhe funksioni i kërkimit mundëson kërkimin e projekteve sipas sektorit ose çdo fjale kyçe. 

Për të mësuar më shumë rreth programit IPARD, instrumenti i asistencës para-anëtarësimit për zhvillimin rural me fokus zonat rurale dhe sektorët agroushqimorë të vendeve në proces anëtarësimi në BE, vizitoni www.ipard.gov.al(link is external)

 

Fjala e plotë e Ambasadorit të BE-së Soreca: bit.ly/34E1RFU(link is external)  

 

Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për bujqësinë në Shqipëri: 

  • Më shumë se 70 milionë euro kontribute nga BE-ja për sektorin e bujqësisë në 5 vitet e fundit. 

  • 1000 aplikime të pranuara. 

  • 400 fermerë dhe agrobiznese shqiptare kanë përfituar nga programi IPARD nëpërmjet granteve që synojnë të rrisin dhe modernizojnë kapacitetet e tyre për të përmirësuar konkurrencën dhe për të krijuar vende të reja pune për të rinjtë ruralë. 

  • Thirrja e katërt për aplikime në kuadër të IPARD-it është ende e hapur dhe fokusohet te diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit. Ajo synon të mbështesë natyrën dhe turizmin rural, si dhe artizanatin dhe industrinë e manifakturës.