Banka Evropiane me linja të reja të kredive për shtëpitë e kosovarëve në kursimin e energjisë

Sipas një njoftimi të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, më shumë pronarë të shtëpive në Kosovë do të jenë në gjendje ta përmirësojnë efiçiencën e energjisë së shtëpive të tyre falë një linje të re të kredive që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH-i) po ia jep Agjencionit për Financim në Kosovë (AFK).

Në këtë mënyrë, në njoftim është theksuar se AFK-ja do t’u ofrojë financim klientëve të saj për investime në masat e efiçiencës së energjisë siç janë izolimi, dritaret, pompat termike dhe panelet solare.

Pas zbatimit të suksesshëm, kredimarrësit do të kenë të drejtë që paratë t’u kthehen deri në 20 përqind të gjithsej investimit të tyre, falë financimit nga Bashkimi Evropian (BE-ja), raporton kosovo energy.

Tutje, sipas njoftimit, kredia e re për AFK-në ofrohet në kuadër të Programit për Lehtësimin e Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), program ky në vlerë prej 135 milion eurosh për Ballkanin Perëndimor që i mbështet zgjidhjet me energji efiçiente për një ekonomi më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Ky program mbështetet nga BE-ja, Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (KIBP) dhe Ministria Federale e Financave e Austrisë, ndërsa është pjesë e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë (PREE) për Ballkanin Perëndimor.

Deri më tani, rreth 7,900 familje në Ballkanin Perëndimor e kanë përmirësuar efiçiencën e energjisë së tyre përmes programit GEFF, me investime në projekte që i kanë kontribuar një reduktimi të emetimit të CO2 prej më shumë se 11,000 tonë në vit, ekuivalent me largimin e 7,000 veturave nga rruga./Media Ndërtimi.