#ZgjidheLomshin arrin në komunën e katërt për të avokuar për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara
Sot në Gjilan është lansuar fushata #ZgjidheLomshin, ku kjo është komuna e katërt e angazhuar për të mbështetur gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. E financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe e udhëhequr nga UNICEF-i në Kosovë, kjo fushatë synon të promovojë gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të rrisë ndërgjegjësimin për barrierat me të cilat ata përballen.
Ngjarja solli Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, Shefin për Bashkëpunim të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Johannes Madsen, Shefen e UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e tyre, si dhe Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Pjesëmarrësit prezantuan progresin e arritur, por gjithashtu bënë thirrje për përmbushjen e plotë të të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke theksuar rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës dhe hapësirave publike të qasshme.
Instalacioni simbolik "lomshi", që përfaqëson sfidat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara, u shpalos në këtë aktivitet. Instalacioni do të qëndrojë në Gjilan për tri ditë duke bërë thirrje për qasje në hapësira publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre. Fushata gjithashtu synon të rrisë ndërgjegjësimin për projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i cili do të përfaqësojë një reformë kulmore në Kosovë, nëse miratohet.
Fushata #ZgjidheLomshin e cila filloi vitin e kaluar tashmë ka shënuar zhvillime pozitive në komunat e tjera. Në Prishtinë, është ndërmarrë përkushtim për rritjen e mbështetjes financiare për organizata të cilat punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara, heqjen e barrierave fizike në hapësirat publike dhe ofrimin e subvencioneve vjetore për shërbimet nga të cilat përfitojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjakova është zotuar që të dyfishojë numrin e mësuesve asistentë dhe të krijojë klasa burimore në të gjitha shkollat fillore deri në vitin 2025.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni është i përkushtuar për të mbështetur agjendën e gjithëpërfshirjes dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Shefi për Bashkëpunim i Zyrës së BE në Kosovë, z. Johannes Madsen, theksoi rëndësinë e fushatës, duke thënë, “Puna jonë e përbashkët dhe avokimi janë thelbësore për krijimin e një të ardhmeje ku çdo fëmijë, veçanërisht ata më të cenuarit, do të mbështetet dhe përfshihet. Bashkimi Evropian, në partneritet me UNICEF-in, mbetet i përkushtuar për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Ne i bëjmë thirrje qeverisë dhe të gjithë vendimmarrësve që të na bashkohen në forcimin e sistemeve që mbrojnë fëmijët dhe sigurojnë që asnjë fëmijë të mos mbetet prapa."
“Çdo fëmijë, pavarësisht nga aftësitë e tij, meriton mundësinë për të mësuar, luajtur dhe zhvilluar në një mjedis gjithëpërfshirës. Përmes kësaj fushate, ne po u bëjmë thirrje komuniteteve, shkollave dhe vendimmarrësve që të zgjidhin lomshin dhe të sigurojnë që fëmijët me aftësi të kufizuara të arrijnë potencialin e tyre të plotë,” shtoi Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë.
UNICEF-i, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë, do të vazhdojë të avokojë për të gjithë fëmijët, qofshin me ose pa aftësi të kufizuara.