12.09.2025.

STAR UP – Transformimi i Ekosistemit të Bizneseve të Reja në Kosovë përmes Mbështetjes së Bashkimit Evropian

Në një treg global gjithnjë e më digjital, ku ritmi i inovacionit dhe qasja në rrjetet ndërkombëtare janë nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, projektet që krijojnë themele të qëndrueshme për zhvillimin teknologjik luajnë rol jetësor. Një nga iniciativat më të suksesshme në këtë drejtim është projekti STAR UP, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga STIKK (Shoqata e TIK-ut e Kosovës).

Qëllimi parësor i projektit STAR UP është të kontribuojë në krijimin e një ekosistemi digjital mundësues për startup-et në Kosovë, duke përshpejtuar zhvillimin dhe rritjen e tyre me fokus të veçantë në gatishmërinë për investime dhe eksportin e shërbimeve në tregjet e BE-së. Kompanitë që jo vetëm që mbijetojnë në tregun lokal, por edhe pozicionohen si lojtarë konkurrues në ekonominë digjitale evropiane, përbëjnë themelin mbi të cilin ngrihet projekti. 

Ky vizion është i lidhur ngushtë me strategjinë afatgjatë të STIKK-ut për fuqizimin e sektorit të TIK-ut të Kosovës si një shtyllë e zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe integrimit në tregun e BE-së. STAR UP përfaqëson një platformë konkrete për transformimin e potencialit në veprim: nga ideja në produkt, nga tregjet lokale në ato ndërkombëtare.

Një nga arritjet më të prekshme të STAR UP me financim nga BE-ja është funksionalizimi i plotë i Tech Park Prishtina – qendra e parë e dedikuar në Kosovë për inovacion digjital dhe ndërmarrësi teknologjike. I pajisur me infrastrukturë moderne, pajisje të avancuara teknologjike dhe dizajn bashkëkohor të hapësirave të punës, Tech Park është kthyer në mjedis plot gjallëri për rritjen dhe bashkëpunimin e startup-eve.

28 startup-e të TIK-ut u përzgjodhën dhe u instaluan në Tech Park për të përfituar nga qasja në infrastrukturë, trajnim dhe mentorim; 15 startup-eve iu dhanë grante deri në 10,000 euro, me shtatë prej tyre të udhëhequra nga ndërmarrëse gra, duke reflektuar përkushtimin e fortë të projektit për përfshirjen gjinore; Më shumë se 150 seanca mentorimi individual dhe mbi njëzet seanca trajnimi të strukturuara u ofruan nga shtatë mentorë ekspertë në fusha të tilla si financat, ligji, pronësia intelektuale, burimet njerëzore, menaxhimi i biznesit dhe transformimi digjital; Shtatë evente kombëtare B2B u organizuan në bashkëpunim me sektorë të tillë si druri, metali, përpunimi i ushqimit dhe agrobiznesi, duke u mundësuar startup-eve të ndërtojnë partneritete të reja dhe të identifikojnë nevojat për digjitalizim në të gjitha industritë tradicionale; Dhjetë startup-e nga Kosova morën pjesë në evente të mëdha ndërkombëtare të teknologjisë dhe investimeve në Helsinki (SLUSH) dhe Vjenë (ViennaUP), ku u angazhuan drejtpërdrejt me investitorë dhe rrjete biznesi evropiane. Këto janë vetëm disa nga rezultatet madhore të arritura gjatë zbatimit të projektit, të cilat demonstrojnë qartë ndikimin e drejtpërdrejtë të STAR UP dhe përkushtimin e BE-së për forcimin e ekosistemit të ndërmarrësisë digjitale në Kosovë. 

Për t’u ndihmuar kompanive të zhvillojnë strategji eksporti dhe të kuptojnë kërkesat ndërkombëtare për pajtueshmëri ligjore dhe financiare për të hyrë në tregun e BE-së, një komponent i rëndësishëm i projektit ishte organizimi i punëtorive për gatishmërinë për eksport dhe organizimi i konsultimeve individuale me ekspertë të eksportit për përfaqësuesit e bizneseve. 

Një nga storjet më frymëzuese të suksesit që doli nga STAR UP është ajo e startup-it The Lobby Boy, ndërmarrje fillestare e cila, falë përfshirjes në aktivitetet e projektit dhe pjesëmarrjes në KosICT 2023, siguroi një investim prej 160,000 eurosh nga kompania ndërkombëtare Aston Capital Partners. Ky rast është dëshmi e drejtpërdrejtë e fuqisë së qasjes gjithëpërfshirëse të STAR UP dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare të startup-eve kosovare.

Mbështetja e Bashkimit Evropian ka qenë esenciale jo vetëm për sigurimin e resurseve financiare, por edhe për vendosjen e standardeve të larta të zbatimit, profesionalizmit dhe transparencës, duke nxitur njëkohësisht lidhje më të forta me rrjetet evropiane të inovacionit. STAR UP është bërë model se si mund të gjenerohet ndikim i qëndrueshëm nga financimi i BE-së, i kombinuar me ekspertizën lokale dhe një vizion të qartë.

Për të siguruar që ndikimi i STAR UP të zgjasë përtej ciklit të projektit, mbështetja e vazhdueshme për ndërmarrësinë teknologjike është esenciale. Kjo përfshin: Lansimin e edicioneve të reja të programit, me fokus të shtuar në gatishmërinë për eksport, financimin e avancuar dhe integrimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale; Pjesëmarrjen e qëndrueshme në rrjetet ndërkombëtare, forumet e investitorëve dhe panaire teknologjike, duke forcuar më tej dukshmërinë globale të startup-eve kosovare; Mbështetjen e vazhdueshme për gratë në TIK, përmes caqeve gjinore, mentorimit të përshtatur dhe stimujve të targetuar.