27.10.2024.

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit 2024-2026, mbështetje për negociatat me BE dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Shqipëria dhe Gjermania kanë intensifikuar më tej bashkëpunimin mes tyre.
Në datat 9-10 Tetor 2024, në Berlin, u zhvilluan bisedimet dy dypalëshe për Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Zëvendësministrja e Financave, znj. Vasilika Vjero, ishte pjesë e delegacionit shqiptar që përfaqësoi vendin tonë në këto bisedime, së bashku me drejtues të lartë të SASPAC; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit; si dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Pala shqiptare prezantoi në këto bisedime fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh dhe prioritetet e qeverisë shqiptare.
Bisedimet u finalizuan me nënshkrimin e protokollit të ardhshëm dyvjeçar, 2024 – 2026, mes qeverive të dy vendeve.
Protokolli përfshin një sërë angazhimesh financiare, me fokus mbështetjen e vendit tonë sa i përket negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sektorët prioritarë.