28.05.2026.

Restaurohen 4 objekte fetare, Kishat dhe manastiret historike në Voskopojë dhe Vithkuq u restauruan me financim të BE-së dhe BERZH-it

Katër objekte të rëndësishme të trashëgimisë fetare në Voskopojë dhe Vithkuq janë inauguruar dje pas përfundimit të restaurimit të tyre, në praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, BERZH-it dhe kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, përfshiu restaurimin e kishave të Shën Marisë dhe Shën Mëhillit, si dhe manastireve të Shën Prodhomit dhe Shën Pjetrit e Shën Palit.

Investimi prej mbi 793 mijë eurosh synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e turizmit në zonën e Korçës.

“Është vërtet kënaqësi për ne për të kontribuar për këtë program dhe po ndihmojmë 4 rajone në Shqipëri sepse mendojmë që me anën e kësaj asistence ndihmojmë turizmin në këto rajone. Ne mbështesim bashkitë që të kenë mundësitë që të japin një ofertë më të mirë turistike”, u shpreh Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit, delegacioni i BE-së në Shqipëri.

“Këto kisha përfaqësojnë një pjesë të trashëgimisë tonë kulturore dhe përmes këtyre në ruajmë trashëgiminë kulturore”, tha Sotiraq Filo, Kryetar i bashkisë Korçë.

Punimet nisën në vitin 2023 dhe përfunduan në gusht 2025, duke përfshirë restaurimin e çative, forcimin e strukturave dhe ruajtjen e afreskeve, ikonostazeve dhe elementëve të tjerë artistikë. Projekti u realizua në bashkëpunim me institucionet shqiptare të trashëgimisë kulturore, për të garantuar mbrojtjen dhe vizitueshmërinë e monumenteve në të ardhmen.