Plani i Rritjes i BE, Shqipëria përfituese e 32 milionë eurove me 3 projektet e para

Shqipëria përfiton nga faza e parë e financimit në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, 32 milionë euro për tre projekte.
Financimi është pjesë e paketës së mbështetjes prej 87,7 milionë eurosh që BE miratoi në kuadër të Planit të Rritjes për projektet e Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Projekti i parë me të cilin Shqipëria përfiton financim është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95,3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10,5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.
Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13,6 milionë euro, në një investim total prej 64,2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.
Projekti i tretë është linja e re Rrashbull-Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor i ka projektet e para në fushën e energjisë së pastër pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha.
Shqipëria në këtë fazë ka tre projekte madhore, që arrijnë vlerën mbi 220 milionë euro, ku BE kontribuon me 32 milionë euro. (25 gusht)