02.07.2024.

Nxitja e zhvillimit ekonomik në Kosovë duke zhbllokuar 1.2 miliardë dollarë të kapitalit të fjetur nga ndërtesat pa leje

Në Kosovë, shumë njerëz jetojnë në shtëpi që nuk janë të regjistruara. Kjo ka një kosto të madhe ekonomike pasi individëve u mungojnë dokumentet e regjistrimit të nevojshme për të marrë kredi për të filluar biznese ose për të shitur, transferuar ose trashëguar prona. Që nga viti 2019, USAID-i ka punuar për ta ndryshuar këtë gjë duke krijuar partneritete me sektorin publik për ta zgjeruar dhe thjeshtuar pronësinë e pronave. Në kuadër të kësaj pune, Aktiviteti i Qeverisjes Ekonomike i USAID-it është koordinuar gjerësisht me partnerët e qeverisë në nivel kombëtar dhe lokal për t’i përmirësuar dhe dixhitalizuar procedurat administrative në lidhje me regjistrimin e pronave.

USAID gjithashtu ka kërkuar ndihmën e partnerëve në qeveri, shoqëri civile dhe sektor privat për t’u angazhuar në ngritjen e vetëdijes për politikat dhe burimet e reja që e bëjnë regjistrimin më të lehtë për qytetarët. Këto përpjekje janë zhvilluar me një vëmendje të veçantë drejt arritjes së grave, minoriteteve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.
Rezultatet e këtij aktiviteti flasin vetë. Gjatë pesë viteve të fundit, ky aktivitet u ka mundësuar mbi 340,000 qytetarëve dhe bizneseve kosovare që të sigurojnë të drejta formale për pronën e tyre. Ekspertët vlerësojnë se pronësia e zgjeruar ka zhbllokuar rreth 1.2 miliardë euro kapital që tani mund të përdoret për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Puna për zgjerimin e pronësisë është ende larg përfundimit dhe USAID vazhdon të koordinohet me partnerët për të gjetur mundësi të reja për të shfrytëzuar shuma edhe më të mëdha të kapitalit të fjetur. Këto përpjekje do të ndikojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik duke u mundësuar komuniteteve në Kosovë të zhvillohen duke përdorur burimet që tashmë janë në dispozicion të tyre.