Kosova merr grant me vlerë 500 000 euro për rinovimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë përmes BEI Globale

- Granti do të sigurojë ofrimin e asistencës teknike për përgatitjen e projektit, duke integruar standardet më të larta teknike, mjedisore dhe sociale.
- Financimi vjen nga Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-t, në kuadër të nismës për financimin e projekteve urbane.
Falë marrëveshjes së bashkëpunimit me vlerë 500 000 euro, të nënshkruar midis Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës*, dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, banka e BE-së do të ofrojë asistencë teknike për rinovimin, ruajtjen dhe riparimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Projekti synon të transformojë objektin në një qendër moderne, shumëfunksionale, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore, të gatshme për të shërbyer si vendi i garave dhe trajnimeve për Lojërat Mesdhetare XXI - Prishtinë 2030, që do të organizohen në Republikën e Kosovës.
Shërbimet këshillimore do të mundësojnë kryerjen e vlerësimeve teknike, mjedisore, financiare dhe energjetike, si dhe përgatitjen e projekteve paraprake për kompleksin e ndërtimit. Kjo do të përfshijë integrimin e pajisjeve moderne, masa për efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e trashëgimisë, në përputhje me konventat dhe rregulloret përkatëse. Granti vjen në kuadër të nismës për financimin e projekteve urbane, e cila bazohet në burime nga nisma e BEI-t për rimëkëmbjen ekonomike, e cila u njoftua në partneritet me Agjencinë Franceze për Zhvillim (Agence Francaise de Développement) për të mbështetur projektet novatore dhe të qëndrueshme të zhvillimit urban në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kreu i zyrës rajonale të përfaqësimit të BEI-t për Ballkanin Perëndimor, Damien Sorrell, u shpreh: “Qëllimi i këtij projekti është të sigurojë që trashëgimia kulturore dhe historike e kompleksit të ndërtesave të ruhet, duke e përditësuar që të përmbushë standardet më të larta teknike në aspektin e qëndrueshmërisë, sigurisë, funksionalitetit dhe efikasitetit të energjisë. Jemi të kënaqur që nisma "Team Europe"ka treguar edhe një herë efektivitetin e saj në ofrimin e projekteve me ndikim të lartë që sjellin vlerë të konsiderueshme për brezat që do të vijnë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.”
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, u shpreh: Rijetësimi i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është një projekt me rëndësi strategjike për infrastrukturën kulturore dhe sportive të Kosovës. Ky bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve është një kontribut i vlefshëm që mbështet përpjekjet tona të vazhdueshme për të modernizuar dhe ruajtur këtë vend emblematik, duke u siguruar që ai përmbush standardet më të larta teknike dhe mjedisore. Nëpërmjet kësaj nisme, ne jo vetëm që mbrojmë trashëgiminë tonë, por gjithashtu krijojmë një hapësirë shumëfunksionale që do t'u shërbejë brezave të ardhshëm dhe do të luajë një rol qendror në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm urban që rrit mundësitë për të rinjtë tanë dhe forcon praninë ndërkombëtare të Kosovës në kulturë dhe sport”.
Mrika Gashi Macula, drejtoreshë e përgjithshme e NPL “Pallati i Rinisë” Sh.A., u shpreh: “Në emër të aksionarëve të ndërmarrjes publike dhe në koordinim të ngushtë me Bordin e Drejtorëve, mirëpresim mbështetjen e dhënë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky grant i asistencës teknike përbën një element të rëndësishëm në avancimin e procesit të përgatitjes së projektit për restaurimin dhe modernizimin e Pallatit të Rinisë. Projekti do të sigurojë ruajtjen e vlerës kulturore dhe historike të ndërtesës, duke e shndërruar atë në një objekt më të avancuar, me efikasitet energjetik dhe shumëfunksional. Në kuadër të vizionit strategjik të aksionarëve tanë dhe mbikëqyrjes nga Bordi i Drejtorëve, ne mbetemi të përkushtuar për të lehtësuar realizimin e një projekti me vlerë afatgjatë për Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030”.
* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me RKSOKB 1244/1999 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së KosovësTë dhëna bazë:
Rreth BEI-t dhe BEI Globale
BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI mbështet projekte në katër fusha prioritare: infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis, dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (NVM). BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027 - rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Në kuadër të “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën
Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor:
BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2010, banka ka financuar projekte me vlerë prej mbi 11 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI është shtrirë në shumë fusha të reja që prej vitit 2010, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, kërkim-zhvillimin, arsimin dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans.
Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Kosovë, shihni: https://www.eib.org/en/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/kosovo/index.htm
Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike (NRE)
NRE është përgjigja e BEI-t ndaj thirrjes së Këshillit Evropian për të intensifikuar mbështetjen e saj për fqinjësinë e BE-së, me qëllim rritjen ekonomike dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ). Objektivi i kësaj nisme është të mobilizojë me shpejtësi financime shtesë në mbështetje të rritjes së qëndrueshme, infrastrukturës jetike dhe kohezionit social në fqinjësinë jugore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Nisma për rimëkëmbjen ekonomike fokusohet si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, në mbështetje të aktiviteteve të BEI-t gjatë fazave të ndryshme të ciklit të projektit. BEI po kontribuon në dritaren e asistencës teknike në kuadër të nismës për rimëkëmbjen ekonomike (ERI TA) me një shumë prej 90 milionë eurosh nga burimet e veta buxhetore.