06.01.2022.

Kosova e Danimarka merren vesh edhe për energji të ripërtëritshme

Kosova e Danimarka nënshkruajnë dy letër-qëllime, vlerësohen gurthemel për marrëveshjet e ardhshme.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar sot dy letër-qëllime, njëri për dhënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues, si dhe tjetra për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politikë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar një marrëveshje me homologun danez, Flemming Moller Morteensen.

Rizvanolli, tha se marrëveshja për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politikë hap rrugën për bashkëpunim më të madh në mes dy vendeve.

“Sektori i energjisë përballet me sfida të ndryshme dhe kjo kriza na ka treguar brishtësinë. Duhet të kemi diversifikim të burimeve të energjisë elektrike. Në strategjinë tonë të energjisë diversifikimi i burimeve të energjisë janë ndër qëllimet kryesore, dhe dekabornizimi. Për ne si shtet ky do të jetë sfidues. Të kemi shtetin e Danimarkës në këtë tranzicion do të jetë shumë mirë për Kosovën. Kjo marrëveshje e hap rrugën për një bashkëpunim edhe më të madh”, tha ajo.

Flemming Moller Morteensen, ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor, tha se kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të dyja vendet.

“Sot kemi ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve. Do të punojmë së bashku në energjinë e gjelbër. Jam i lumtur që Danimarka mund të mbështesë Kosovën. Aktualisht e shohim ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, duke pasur pasoja të rënda ekonomike”, tha ai.