08.12.2021.

Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit i Mitrovicës bashkon studentët përmes arsimit

I vendosur në qytetin jugor dhe verior të Mitrovicës me dy kampuset e tij, Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit i Mitrovicës (IBC-M) i bën bashkë studentët e të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke ua ofruar atyre një përvojë arsimore unike. I themeluar në vitin 2010 nga organizata joqeveritare holandeze SPARK, IBC-M-ja që nga viti 2018 vepron si fondacion arsimor i pavarur jofitimprurës ¤nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë. 

IBC-M-ja krenohet jo vetëm për të qenit në hap me nevojat në ndryshim të akademisë së Kosovës dhe asaj rajonale, përpjekjet për pajtim, komunitetin dhe biznesin, por edhe për parashikimin dhe kontributin për atë ndryshim përmes arsimit, projekteve dhe hulumtimeve inovative. Vizioni dhe misioni i IBC-M-së është që të jetë institucion lider i arsimit të lartë i orientuar kah ofrimi i mundësive të jashtëzakonshme për shkollim për komunitetet e ndryshme në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa perspektiva e tij është që ta përhapë shembullin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit me të gjithë partnerët e tij në Kosovë, rajon dhe Evropë.

Menaxherja e Projektit të BE-së dhe Drejtoresha e Kolegjit IBC-M, Prof. Dr. Mihone Kerolli-Mustafa, konsideron se pjesëtarët e komunitetit dhe BE-ja si donator i IBC-M-së janë bërë bashkë në një kohë kur arsimi i lartë po kalonte nëpër një transformim të shpejtë dhe dramatik, duke e theksuar rolin jetik që e luan një arsim i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha fushat socio-ekonomike, duke përfshirë fuqinë punëtore, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm e të tjera.

“Përmes iniciativës dhe punës së IBC-M-së, ne e kemi një mundësi historike për ta shfrytëzuar potencialin e plotë të arsimit, hulumtimit dhe inovacionit, për ta ofruar një të ardhme për arsim të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet dhe shoqërinë kosovare dhe për të punuar së bashku për t’i avancuar veprimet konkrete dhe për t’i mbështetur qëllimet tona” – deklaron Prof. Kerolli-Mustafa, Menaxhere e Projektit të BE-së i dhe Drejtoreshë e Kolegjit IBC-M.

Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i IBC-M, z. Harri Tuomola, thotë se, falë IBC-M-së, studentët nga Kosova mund ta shijojnë një program dhe përvojë të mrekullueshme ndërkombëtare të studimit.

“IBC-M është një oazë e mrekullueshme ndërkombëtare mu në mes të Mitrovicës. Qoftë kur hyjnë në kampusin tonë Riverside në Mitrovicën e Jugut apo në kampusin Riverview në Mitrovicën e Veriut, vizitorët që vijnë këtu për herë të parë impresionohen përherë kur e përjetojnë një atmosferë ndërkombëtare të këtillë. Nga kurrikulat ndërkombëtare e deri te diplomat e dyfishta evropiane dhe nga akreditimi gjerman e deri tek mësimi i përshpejtuar i gjuhës angleze, IBC-M është ndërkombëtar. IBC-M-ja ofron platformë të shkëlqyer për studentët që ata ta nisin karrierën ndërkombëtare të tyre – pavarësisht se a zgjedhin që të përfitojnë nga njëra nga mundësitë tona të shumta për shkëmbim apo nga mundësitë e ndryshme këtu në kampus. Nuk ka biznes tjetër PËRVEÇ biznesit ndërkombëtar” – deklaron z. Harri Tuomola, Drejtor Ekzekutiv i IBC-M-së.  

Kur kemi të bëjmë me programin akademik, Drejtoresha Akademike e IBC-M-së, Prof. Dr. Jelena Djokic, thotë se objektivi i tyre është që studentët t’i përgatisin që të hyjnë në një treg global.

“Njëri nga misionet më të rëndësishme të kolegjit tonë është edukimi i studentëve që i kontribuojnë një shoqërie pluraliste dhe përfitojnë nga ajo. Ne duam të edukojmë qytetarë globalë që mund të hyjnë në një treg të punës global dhe që mund të veprojnë me një përgjegjësi të thellë dhe të informuar për komunitetin mbarëbotëror.  Ky mision i yni potencohet pikërisht në këtë vit, i cili ndërkombëtarizimin dhe integrimin i ka si njërat nga fushat kryesore të fokusit” – përfundon Prof. Djokic.  

Aleksandra Lazarevic nga Zveçani ka qenë njëra nga studentët e shumta që i ka ndjekur studimet në IBC-M. Dija dhe përvoja që e ka fituar në IBC-M i kanë ndihmuar që t’i ndjekë studimet në UCL University College London.

“IBC-M-ja më ka dhënë njohuri dhe përvoja që më kanë bërë të kem vetëbesim dhe të jem në gjendje t’i ndjekë caqet më të larta. Më është mundësuar që ta eksploroj botën jashtë kutisë, të takoj njerëz dhe kultura të ndryshme. Nëpërmjet dy programeve të mia të shkëmbimit (Danimarka dhe Portugalia), të mësuarit me qasje praktike dhe studimet e ofruara në gjuhën angleze, unë e kam fituar bazën për të hyrë në njërin nga universitetet më të mira globale në botë, UCL University College London, ku aktualisht jam duke i ndjekur studimet e magjistraturës në Menaxhim.” Aleksandra Lazarevic, studente e IBC-M-së”.

Dea Gaxha nga Gjakova është një tjetër histori suksesi që i ndjek studimet e saj në IBC-M.

“Si studente e re, jam e etur që të përvetësojë aftësi dhe të fitojë njohuri të reja në këtë kolegj. Gjatë studimeve në IBC-M e kam mundësinë që edhe të studioj, edhe t’i zbatoj studimet e mia në të njëjtën kohë. E gjithë kjo është e arritshme, sepse IBC-M ofron mundësi mësimi të integruara në punë dhe na nxjerr në botën reale. Aktualisht punoj si Koordinatore e Projektit e Festivalit Nomad dhe njëkohësisht jam udhëheqëse e ekipit dhe moderatore në një iniciativë të “Up to Youth” në Gjakovë. Nëse do të më duhej ta përshkruaja IBC-M-në me pesë fjalë, ato do të ishin: “Një kolegj përplot me mundësi” – përfundon Gaxha.