28.04.2026.

Investimi në arsim dhe sport do të thotë investim në të ardhmen evropiane të Kosovës

Investimi në arsim dhe sport do të thotë investim në të ardhmen evropiane të Kosovës
Rreshti i nxënësve të kapur dorë për dore shtrihej para hyrjes së shkollës së re “Nazim Kokollari” në lagjen Dardania të Prizrenit. Atë mëngjes pranvere me diell të 3 marsit, oborri i shkollës gumëzhinte nga energjia e një dite të veçantë: të qeshura, buzëqeshje, kureshtje dhe një ndjenjë pritjeje që lexohej në fytyrat e të gjithëve. Ishte një moment që tregonte qartë se sa shumë mund të thotë një shkollë e re për një lagje, për një qytet dhe për brezat që po rriten aty.

E ndërtuar me 5.2 milionë euro financim nga Bashkimi Evropian, shkolla ofron klasa moderne, laboratorë dhe sallë sportive. Aktualisht, ajo ka 400 nxënës, por kapaciteti i saj arrin deri në 900, ndaj në të ardhmen do të mirëpresë edhe shumë nxënës të tjerë.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë”, tha drejtoresha e shkollës, Belkize Hoxha. “Nga sot, ata kanë një shkollë të re që u ofron kushte më të mira për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për ta shijuar jetën e përditshme shkollore.”

Pak ditë më vonë, një ndjenjë e ngjashme optimizmi shoqëroi edhe hapjen e një salle të re sportive në Zveçan.
Të rinj, sportdashës dhe anëtarë të klubeve lokale u mblodhën në atë që pritet të bëhet një pikë qendrore takimi për komunitetin.

Salla sportive me vlerë 2.5 milionë euro, e financuar nga Bashkimi Evropian, përfshin fusha për basketboll, hendboll, volejboll dhe futsall, zhveshtore, infrastrukturë përcjellëse dhe ulëse për deri në 640 shikues. Ajo pritet t’u shërbejë nxënësve, sportistëve dhe komunitetit më gjerë.

“Jam shumë i lumtur që qyteti ynë ka një sallë të re sportive”, tha Millosh, një sportist i ri. “Kjo do të thotë shumë për të rinjtë, sepse tani kemi një vend ku mund të stërvitemi, të garojmë dhe ta kalojmë kohën e lirë në mënyrë pozitive.”

Së bashku, këto dy projekte sjellin një investim prej 7.7 milionë eurosh në hapësira që do të përdoren për mësim, sport dhe jetë komunitare.

Për nxënësit që hyjnë në shkollën e tyre të re në Prizren dhe për sportistët, klubet dhe banorët që do ta përdorin sallën sportive në Zveçan, vlera e këtyre investimeve të BE-së do të matet me atë që këto objekte bëjnë të mundur çdo ditë: mundësinë për të mësuar, për t’u stërvitur, për t’u takuar dhe për të kaluar kohë së bashku.

Me mbi 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është ofruesi më i madh i asistencës financiare dhe partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës.