28.12.2024.

Granti më i madh i BE-së për Shqipërinë: Rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit

Sot në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, BEI-së, BERZH-it dhe qeverisë shqiptare, nisi procesi i prokurimit për grantin më të madh ndonjëherë të BE-së për Shqipërinë, në total 136 milionë euro.

Projekti synon rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Vora në Han të Hotit, duke lidhur Shqipërinë me Malin e Zi dhe më gjerë. Kjo nismë kryesore do të rivitalizojë 120 km binarë hekurudhore, do të modernizojë 12 stacione treni dhe do të zbatojë masat më të fundit të sigurisë, duke promovuar transportin më të gjelbër dhe të elektrizuar për të reduktuar emetimet dhe për të përmirësuar lidhjen rajonale.

Duke rehabilituar këtë linjë hekurudhore, ne po lidhim Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit dhe BE-së. Ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar mundësi të reja për bizneset dhe njerëzit. Hekurudha e rehabilituar është gjithashtu një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër. BE-ja vazhdon të mbështesë Shqipërinë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe lidhjes rajonale.