Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ceremonisë së donacionit të skanerit për tomografi të kompjuterizuar në SHSKUK
Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ceremonisë së donacionit të skanerit për tomografi të kompjuterizuar në SHSKUK, 30 korrik 2024
Ministër Vitia, drejtor i SHSKUK-ut, z. Azizi, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë, Dr. Nuza, personel i klinikës, mysafirë të nderuar.
Jam i lumtur që jemi së bashku këtu për të festuar donacionin e një skaneri të tomografisë së kompjuterizuar që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Klinikës Emergjente të Radiologjisë së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Ky projekt për asistencë humanitare, i financuar nga Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të SHBA-së, e i bashkërenditur nga Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje e ambasadës sonë, pasqyron përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë kosovarët.
Me vlerë pothuajse 500.000 dollarë amerikanë, ky skaner i TK-së jo vetëm që do të rrisë kapacitetet e Klinikës Emergjente, por edhe do të përmirësojë standardin e kujdesit në Repartin e Radiologjisë.
Jemi të përkushtuar për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për përmirësimin e nivelit të kujdesit shëndetësor në spitalet e Kosovës dhe këtë e kemi dëshmuar për vite me radhë.
Përmes programit për asistencë humanitare të Komandës Evropiane të SHBA-së, kemi investuar pothuajse 6 milionë dollarë në këtë SHSKUK.
Ky partneritet i vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe udhëheqjen e SHSKUK-ut thekson përkushtimin tonë për të ofruar burime dhe infrastrukturë thelbësore. Ne besojmë fuqimisht që forca e një vendi në fund të fundit qëndron në shëndetin e popullit të tij.
Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës mbetet i fuqishëm si përherë.
Ky donacion shpërfaq solidaritetin dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm dhe pasqyron partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës – partneritet që qëndron mbi vlerat e respektit të dyanshëm dhe aspiratat e përbashkëta për të ardhme më të shëndetshme.
Veçanërisht dëshiroj t’i shpreh mirënjohje zonjës Mirjeta Bunjaku Zeqiri nga administrata e SHSKUK-ut për bashkëpunimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme përgjatë këtij projekti.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj kontraktuesit, „Phillips” dhe „Unicare”, për bashkëpunimin dhe përpjekjet e tyre për përgatitjen e sallës për vendosjen e skanerit të TK-së dhe për të mundësuar vendosjen e pajisjes brenda afatit dhe në pajtim me standardet e duhura.
Në fund, ju faleminderit të gjithëve që jeni mbledhur sot këtu. Ju përgëzoj për përkushtimin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës. Së bashku, me përpjekje të tilla, jo vetëm që po ndërtojmë ura të mirëkuptimit, por gjithashtu po e shtrojmë rrugën për të ardhme më të ndritshme, më përfshirëse për të gjithë qytetarët kosovarë.