05.01.2026.

Drejt përfundimit restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit në Shqipëri, falë programit EU4Culture

Muzeu Kombëtar Arkeologjik në Durrës, qytet bregdetar në Shqipëri është në prag të përfundimit të ndërhyrjeve restauruese falë programit të financuar nga Bashkimi Evropian EU4Culture. 

Së shpejti, mbi 2,400 objekte do të ekspozohen në pavijone tërësisht të reja, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore.

Në kuadër të këtij imvestimi është rikonceptuar edhe oborri i muzeut për t’u shndërruar në një mjedis tërheqës për vizitorët, aktivitete kulturore dhe edukim.

Po ashtu, falë punimeve dhe rikonceptimit, muzeu do të kthehet në një pikë referimi për studiuesit dhe dashamirësit e historisë, si edhe një nga atraksionet kryesore kulturore të Durrësit.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, që po restaurohet prej vitit 2022 në kuadër të projektit EU4Culture të financuar nga BE.

Ai është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri me një koleksion të gjerë të përbërë nga më shumë se 3000 artefakte të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut, gjë që tregon për zhvillimin e qytetit të Durrësit gjatë antikitetit të vonë dhe periudhës mesjetare.

Pas rinovimit, muzeu do të ketë një pamje moderne dhe do të shndërrohet në një qendër moderne arsimore që do t’i lejojë vizitorët të zhyten dhe të përjetojnë historinë e lashtë përmes tregimit klasik dhe të teknologjisë së lartë, si dhe realitetit virtual dhe mjeteve multimediale. 

Vizitorët do të jenë në gjendje të lundrojnë në historinë e lashtë të Durrësit duke eksploruar rrugë të riskicuara, të mrekullohen me thesaret e reja të zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike nënujore dhe të mblidhen së bashku për ngjarje dhe shfaqje kulturore 

Projekti EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.

Ai fokusohet në rinovimin dhe rivitalizimin e vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Europian me një buxhet total prej 40 milionë euro.

Paralelisht, projekti synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike lokale dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive inovative, duke përfshirë tregimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, projekti po mbështet sipërmarrjen lokale, zejtarinë dhe iniciativat kulturore që zhvillohen rreth zonave të përzgjedhura përmes shpërndarjes së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.