01.11.2025.

BERZH ofron 4.5 milionë euro hua në mbështetje të sipërmarrësve të rinj në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka ofruar një hua prej 4.5 milionë eurosh Bankës për Biznes (BpB) në Kosovë, me qëllim zgjerimin e qasjes në financim për sipërmarrësit e rinj në vend.

Kredia është dhënë në kuadër të programit “Youth in Business” (YiB) për Ballkanin Perëndimor. E njëjta synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, që janë në pronësi ose drejtohen nga persona nën moshën 35 vjeç.

Kjo marrëveshje e dytë thuhet se është ndërtuar mbi suksesin e huasë së parë mes palëve, të nënshkruar në shtator të vitit 2022.

Programi synon të adresojë pengesat e shumta me të cilat përballen të rinjtë në sipërmarrje, duke përfshirë mungesën e kolateralit, historinë e kufizuar të kredisë dhe mungesën e përvojës.

Huaja mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit EFSD+ Growth4All, që ofron mbulim të rrezikut për kreditë që u jepen sipërmarrësve të rinj. Falë garancive të BE-së, Banka për Biznes do të mund të drejtojë më shumë fonde drejt bizneseve të vogla e të mesme të udhëhequra nga të rinjtë, duke u ofruar gjithashtu shërbime këshilluese, mundësi rrjetëzimi dhe produkte financiare të përshtatura për nevojat e tyre.

Një mbështetje shtesë teknike për forcimin e kapaciteteve të Bankës për Biznes dhe përmirësimin e shërbimeve për bizneset e reja, po ofrohet nga Suedia, Italia, Luksemburgu, dhe nga BE përmes programit EFSD+.

Programi “Youth in Business” është aktiv në Azinë Qendrore, Egjipt, Marok, Turqi dhe Ballkanin Perëndimor. Ai synon të lehtësojë qasjen në financa për bizneset në të gjitha vendet përfituese të BERZH-it. Deri më tani, BERZH ka investuar 827 milionë euro në Kosovë përmes 133 projekteve. /Buletini Ekonomik/