BERZH-i dhe BE-ja mbështesin digjitalizimin e NVM-ve në Kosovë

Një hua deri në 5 milionë euro për Bankën për Biznes do të ndihmojë zhvillimin e praktikave moderne dhe të gjelbra në sektorin privat
- BERZH ofron hua deri në 5 milionë euro për Bankën për Biznes në kuadër të programit “Go Digital in the Western Balkans”
- Financimi do të mbështesë digjitalizimin e bizneseve të vogla, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër dhe përfshirjen
- BE-ja po ofron fonde për stimuj investimesh dhe asistencë teknike përmes WBIF
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet bizneset e vogla në Kosovë në partneritet me Bankën për Biznes dhe Bashkimin Evropian (BE).
Banka po i jep hua deri në 5 milionë euro Bankës për Biznes në Kosovë, për të përmirësuar automatizimin dhe digjitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në vend, për të përshpejtuar tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër (GET) në sektorin privat, si dhe për të mbështetur bizneset e drejtuara nga gratë.
Ky financim, i pari i ofruar në Kosovë në kuadër të programit “Go Digital in the Western Balkans” të BERZH-it, do të mbështetet nga stimuj investimesh në vlerë prej 10 për qind të shumës së nën-kredive, të cilët do të inkurajojnë nën-huamarrësit të implementojnë investime në automatizim dhe digjitalizim. Përveç kësaj, financimi do të shoqërohet edhe me një paketë të plotë asistence teknike, në mbështetje të bankave partnere dhe nën-huamarrësve. Si stimujt investues ashtu edhe asistenca teknike financohen nga Bashkimi Evropian përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ky financim do të ndihmojë në modernizimin e NVM-ve përmes investimeve të synuara dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e teknologjive të automatizimit dhe digjitalizimit. Duke rritur qasjen në financa, kjo hua do t’u mundësojë bizneseve të vogla të adoptojnë standardet e BE-së dhe për t’u bërë më konkurruese përtej tregut të brendshëm. Do të mbështesë gjithashtu investimet e gjelbra, ashtu që të paktën 60 për qind e shumës së huas të shkojë për projekte në përputhje me qasjen e BERZH-it për tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër (GET).
Marrëveshja e huas u nënshkrua në kuadër të ngjarjes rajonale për nisjen e programit, që u mbajt në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë, nga Francis Malige, drejtor menaxhues për Institucionet Financiare pranë BERZH, dhe Mimoza Godanci-Aliu, drejtore ekzekutive e Bankës për Biznes.
Z. Malige tha: “Jemi të kënaqur që po forcojmë bashkëpunimin tonë me Bankën për Biznes për të përshpejtuar modernizimin e sektorit privat në Kosovë. Kjo marrëveshje nënvizon përkushtimin tonë për të rritur konkurrueshmërinë dhe reziliencën e bizneseve të vogla në gjithë vendin. Digjitalizimi i NVM-ve ka rëndësi jetike jo vetëm për përafrimin me standardet e BE-së, por është edhe një hap i domosdoshëm drejt ndërtimit të një sektori privat më të qëndrueshëm dhe me vizion të qartë për të ardhmen.”
Znj. Godanci-Aliu tha: “Në Bankën për Biznes besojmë se është thelbësore që bizneset në Kosovë të jenë të përgatitura për një të ardhme gjithnjë e më të përqendruar në automatizim dhe digjitalizim. Partneriteti ynë me BERZH-in dhe BE-në ështënjë hap i rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë, promovimit të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Përkushtimi ynë për të ndihmuar bizneset në këtë tranzicion shkon përtej sferës financiare, duke ofruar një paketë të plotë shërbimesh jo-financiare. Nga asistenca teknike deri te udhëzimi strategjik, synojmë t’i pajisim klientët tanë me mjetet që u nevojiten për të lulëzuar në një treg konkurrues dhe të orientuar nga e ardhmja. ”
Johannes Stenbæk Madsen, shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha:“Bashkimi Evropian me krenari mbështet programin Go Digital, si një iniciativë me rëndësi jetike që i fuqizon bizneset të përqafojnë transformimin digjital. Në partneritet me BERZH-in, ne po inkurajojmë novacionin, forcimin e reziliencës ekonomike dhe pajisjen e kompanive me mjetet e nevojshme për të lulëzuar në ekonominë digjitale. Duke investuar në digjitalizim, ne jo vetëm që po mundësojmë që bizneset të rriten dhe të konkurrojnë në një treg global, por gjithashtu po kontribuojmë në qëllimet më të gjera për një të ardhme të qëndrueshme dhe përfshirëse”.
Banka për Biznes, e themeluar në vitin 2001, është e specializuar për ofrimin e produkteve financiare për NVM-të. Ajo është partner i kamotshëm i Bankës dhe ka implementuar disa nga linjat e kreditimit të BERZH-it në mbështetje të bizneseve të vogla në Kosovë.
Deri sot, BERZH ka investuar më shumë se 775 milionë euro në Kosovë përmes 120 projekteve.