13.04.2025.

BE siguron paketë financiare prej 90 milionë eurosh për përmirësimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë në Shqipëri

  • Fondet e BE-së, që përbëhen nga një grant prej 60,5 milionë eurosh, në kuadër të KIBP dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale, do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore 34 km të gjatë.
  • Paketa financiare u nënshkrua në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian, qeveria e Shqipërisë dhe BEI Globale.
  • Projekti do të mundësojë transport më efikas, të qëndrueshëm dhe më të sigurt të pasagjerëve dhe mallrave, duke kontribuar në rritjen socio-ekonomike dhe integrimin rajonal.

Gjatë vizitës zyrtare të përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në Shqipëri, u nënshkrua një paketë financiare e BE-së me vlerë 90,5 euro për rindërtimin e seksionit hekurudhor Durrës–Rrogozhinë, ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe qeverisë së Shqipërisë. Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60,5 milionë euro, i kanalizuar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i departamentit të Zgjerimit dhe Fqinjësisë i BEI Globale, Lionel Rapaille dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, në prani të zëvendëspresidentes Kallas dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.  Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Përfaqësuesja e lartë për Punët e jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, u shpreh: “Nënshkrimi i huasë së Bankës Evropiane të Investimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë si pjesë e Korridorit VIII, bashkëfinancuar nga BE, është një moment i rëndësishëm. Ky projekt do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë tregtinë dhe do të përmirësojë lidhjen duke e afruar Shqipërinë më pranë fqinjëve të saj dhe më pranë Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu do të shërbejë si një rrugë kritike midis Shteteve Anëtare dhe NATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, që është jashtëzakonisht e rëndësishme në mjediset aktuale të sigurisë.”

Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot,  përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh: “Ne kemi kënaqësinë të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje të rëndësishme të 'Team Europe', duke nënvizuar angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e lidhjeve më të sigurta, më të zgjuara dhe më të gjelbra të transportit në Ballkanin Perëndimor. Si një segment kyç i Korridorit VIII, ky projekt do të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë, duke përmirësuar aksesin dhe duke lehtësuar lidhjet tregtare dhe ekonomike brenda rajonit dhe me BE-në. Në vazhdim, BEI Globale do të vijojë të kontribuojë me mbështetjen e saj teknike dhe financiare në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, edhe nëpërmjet mundësive të ofruara në kuadër të planit të ri të rritjes”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh: “Nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore. Kjo është arsyeja se përse ky 5-vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade, do jetë edhe një 5-vjeçar ku do kthehen hekurudhat në Shqipëri dhe kjo është një nga shumë arsyet jo vetëm, për të besuar, por edhe për të luftuar që ne të anëtarësohemi në BE, se falë kësaj marrëdhënie jemi në gjendje sot të kryejmë një sërë investimesh që përndryshe do ishin të pamundura për ne.”

 

Si një financuese kryesore e sektorit të transportit në Ballkanin Perëndimor, BEI Globale po mbështet disa projekte të rrjetit hekurudhor në Shqipëri. Kjo përfshin financimin për seksionin nga Vora deri në Han të Hotit dhe përgatitjen e fazës së dytë të hekurudhës së Korridorit VIII nëpërmjet mbështetjes teknike të ofruar në kuadër të nismës për rimëkëmbjen ekonomike të BEI-tProgrami këshillimor “JASPERS” ka mbështetur gjithashtu zhvillimin e një plani veprimi për të forcuar kapacitetin menaxhues të infrastrukturës hekurudhore të Shqipërisë.