BE, mbi 1 milion dollarë pajisje të specializuara për policinë shqiptare kundër trafikimit të armëve

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër zotërimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse, Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes SEESAC, dorëzuan pajisje të specializuara për Policinë e Shtetit Shqiptar.
Në ceremoninë e dorëzimit, të organizuar në Tiranë, morën pjesë André Rizzo, i ngarkuari me punë i delegacionit të BE-së në Shqipëri si dhe Randi Davis, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri së bashku me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë shqiptare.
Zëvendësministri i Brendshëm shqiptar, Besfort Lamallari tha gjatë ceremonisë se ky donacion i vlefshëm nuk është thjesht mbështetje për forcat e policies, por përbën dëshmi të partneritetit të fortë ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe partnerit zbatues, UNDP, për të kontribuuar në sigurinë rajonale dhe për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.
Pajisjet e dhuruara kanë një vlerë totale prej 1 192 782 dollarë amerikanë dhe janë financuar nga Bashkimi Evropian, në vijim të vlerësimit të nevojave operacionale të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Policisë Kriminale në Shqipëri.
“BE-ja mbetet një partner i palëkundur dhe i besueshëm në përpjekjet për të mbështetur autoritetet shqiptare përmes një angazhimi të qartë: të ndihmojë në ndërtimin e një rajoni më të sigurt dhe më të mbrojtur”, u shpreh André Rizzo I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, veçanërisht në kuadër të luftës kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe rritjes së koordinimit institucional.
“Dorëzimi i pajisjeve të specializuara për Policinë Kufitare dhe Policinë Kriminale të Shqipërisë, në kontekstin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL), është rezultat konkret i përpjekjeve tona të përbashkëta dhe simbol i partneritetit tonë të vazhdueshëm”, u shpreh Rizzo.
Detektorët e metalit, kamerat termike dhe skanerët me rreze X, si dhe kompletet për lëndët plasëse dhe vendngjarjen, janë të gjitha pajisje të vyera që do të forcojnë aftësinë e autoriteteve shqiptare për të mbledhur prova, realizuar hetime, si dhe për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur incidenteve me armë zjarri në mënyrë më efektive.
Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Randi Davis u shpreh se përmes mbështetjes strategjike të Bashkimit Evropian, forcohen kapacitetet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, si dhe të Policisë Kriminale.
“Këto pajisje rrisin kapacitetet e zbulimit, thjeshtojnë analizën kriminalistike dhe përmirësojnë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe përgjigjen në rastet urgjente, si dhe theksojnë angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar komunitete më të sigurta dhe për të trajtuar ndikimin e thellë të armëve të vogla dhe të lehta në të gjithë rajonin”, deklaroi Davis.