02.06.2025.

BE akordon grante me vlerë €1.2 milion për shoqërinë civile për të nxitur punësimin gjithëpërfshirës dhe zhvillimin e aftësive për grupet në nevojë në Shqipëri.

Sot, Bashkimi Evropian (BE) dhe UNDP në Shqipëri prezantuan 12 projekte të zbatuara nga 12 organizata të shoqërisë civile (OSHC) për të përmirësuar shërbimet e punësimit dhe zhvillimin e aftësive për grupet në nevojë në 19 bashki në Shqipëri.

Të financuara në kuadër të projektit BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), këto grante synojnë të rrisin punësimin dhe zhvillimin e aftësive për grupet që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim (NEET), nënat e reja, komunitetet rome dhe egjiptiane, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës ekonomike.

Ceremonia, e mbajtur në Shkollën Teknike Profesionale në Korçë, tregon një angazhim të përbashkët për zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe akses të barabartë në punë të denjë për të gjithë shqiptarët. Në ceremoni morën pjesë Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

“Me këto grante të financuara nga BE-ja, ne po kthejmë politikat në praktikë,—duke u ofruar mundësi reale njerëzve në rrezik përjashtimi për të fituar aftësi, për të gjetur punë dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë. Kjo nismë është pjesë e një programi më të gjerë prej 70 milionë eurosh të asistencës së BE-së për përfshirjen sociale në Shqipëri, duke mbështetur qeverinë për të çuar përpara reformat në sektorin social dhe për t'u përshtatur me kërkesat e anëtarësimit në BE, veçanërisht Kapitullin 19 mbi politikën sociale dhe punësimin. Sepse integrimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me harmonizimin e ligjeve – ka të bëjë me ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse, ku askush nuk mbetet pas”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

“UNDP-ja është krenare për partneritetin me Bashkimin Evropian në këtë ndërhyrje strategjike”, tha Randi Davis, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Shqipëri. “Këto projekte do t’i fuqizojnë grupet vulnerabël me akses më të mirë në tregun e punës.”

Skema e granteve prej 1.2 milionë euro, që koordinohet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në Shqipëri, do të ofrojë shërbime sipas nevojave  gjatë 16 muajve të ardhshëm duke u fokuasuar në tre drejtime: Këshillim Intensiv për Punësim; Trajnim për Aftësi Bazë; Punësim me Mbështetje dhe Zhvillimi i Aftësive për Personat me Aftësi të Kufizuara.

EU4LMI, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNDP-ja në Shqipëri në partneritet me Shërbimin Publik të Punësimit Suedez dhe Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, promovon rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse përmes bashkëpunimit me AKPA-n, ministritë e linjës, shërbimet sociale shtetërore, bashkitë dhe OSHC-të.