21.04.2025.

Artistët e parë rezidentë në Vila 31 x Art Explora, Gonzato: Arti dhe kultura në zemër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE

”Europa krijuese”, është nga programet, jo vetëm më të suksesshme, por fuqizon artistët, lidh institucionet kulturore dhe ndihmon për të treguar historinë e Europës në të gjithë larminë e saj.

Dikur simbolizonte izolimin dhe represionin, por vila 31 e diktatorit në zemër të Tiranës është shndërruar sot në një hapësirë për shprehje të lirë kulturore, eksperimentim artistik dhe shkëmbim artistësh falë sinergjisë shembullore midis qeverisë franceze, ArtExplora, Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Programit të BE-së Creative Europe.

Në ceremoninë që shënoi vendosjen e artistëve të parë rezidentë në këtë godinë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato shprehu krenarinë që BE kontribuon në këtë projekt dhe ndihmon artistët shqiptarë të lidhen me kolegët në të gjithë rajonin dhe kontinentin evropian.

“Ky është integrimi evropian përmes kulturës”, u shpreh ai.

“”Europa krijuese”, është nga programet, jo vetëm më të suksesshme, por fuqizon artistët, lidh institucionet kulturore dhe na ndihmon që ta tregojmë historinë e Europës në të gjithë larminë e saj. Sot Europa po ndihmon që të lidhë artistët shqiptarë me kolegët e tyre në Europë dhe të gjithë kontinentin. Ky do të thotë integrim europian nëpërmjet kulturës, kur njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin shumë përpara se të përfundojnë negociatat për anëtarësim”, tha Gonzato.

“Arti dhe kultura nuk janë pjesë anësore e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por janë në zemër të tij, sepse artistët dhe të gjithë ata që punojnë për krijimtarinë ndihmojnë për shndërrimin e shoqërive për të arritur të bëhen shtete anëtare. Duke qenë të hapur sjellin reflektimin kritik, mendimin kritik, lirinë e fjalës, inovacionin”, tha Gonzato.

Prandaj shtoi ai, “BE dhe Shqipëria po punojnë shumë me artistët dhe me institucionet kulturore. Ne dëshirojmë që të bëjmë lidhjen me krijimtarinë, por edhe me vlerat themeluese të BE-së”.

 “Kjo është arsyeja pse BE-ja në Shqipëri ka vendosur të festojë Javën e Evropës me komunitetin artistik shqiptar. Këtë maj, nga data 19 deri më 31, artistët shqiptarë do të jenë në qendër të skenës, të ndajnë vizionet e tyre dhe të kontribuojnë në formimin e një të ardhmeje të rrënjosur në vlerat e BE-së”, vijoi ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato. (14 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.