23.09.2024.

Arsim i përmirësuar përmes modelit për sigurim të cilësisë të udhëhequr nga kolegët

Parimet e transparencës dhe kolegialitetit, së bashku me nxitjen e një mjedisi jo-gjykues që e shtyn përpara rritjen profesionale, janë vlera të ngulitura thellë në modelin kosovar për sigurim të cilësisë të udhëhequr nga profesionistët e edukimit. I dizajnuar si mekanizëm gjithëpërfshirës që nxit formimin e praktikave më të mira në kuadër të sistemit të arsimit, programi i Kosovës për trajnim për vlerësim të udhëhequr nga profesionistët e edukimit po optimizon mundësitë e shfrytëzimit të plotë të potencialit të mësimdhënësve me kualitete të larta përbrenda institucioneve të arsimit publik në Kosovë. 

Nëpërmjet trajnimeve me mësimdhënësit, ky program promovon procesin e vlerësimit përkrahës që inkurajon vendosjen e politikave të paanshme dhe ofron mundësi për vëzhgime në klasa të hapura. Synimi i modelit për sigurim të cilësisë të udhëhequr nga profesionistët e edukimit është që t’u ndihmohet edukatorëve në mbarë Kosovën ta identifikojnë më mirë mësimdhënien dhe mësimnxënien me cilësi të lartë, si dhe që këta edukatorë të aftësohen për mbledhjen dhe trekendëzimin e dëshmive nga një sërë burimesh që do t’u shërbejnë më mirë për marrjen e vendimeve. Të dhënat kualitative të prodhuara përmes zbatimit të projektit mund të përdoren për të ndihmuar në identifikimin e prioriteteve arsimore në mbarë Kosovën.  

Duke vendosur një politikë me dyer të hapura për vëzhgimin në klasë, edukatorëve u jepen mundësitë dhe mjetet të shkëmbejnë praktikat më të mira, ndërsa komunave mundësia t’i identifikojnë problematikat e sistemit për të cilat kërkohen ndërhyrje.

Si rezultat i drejtpërdrejtë i modelit për ngritje të kapaciteteve të vendosur në mbarë Kosovën, me ndihmën e BE-së dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, janë më shumë se 100 shkolla që përmes projektit KosEd e kanë përfunduar ose janë në proces të përfundimit të procesit të përditësuar dhe të përmirësuar të vlerësimit të brendshëm të shkollave, ndërkohë që më shumë se një mijë mësimdhënës kanë përfituar nga forma të ndryshme të trajnimit praktik që u shërben për licencimin dhe karrierën e tyre si mësimdhënës. 

Në këtë kontekst janë realizuar me mijëra vëzhgime joformale të procesit mësimor. Në shumicën e këtyre 100 shkollave janë hapur dyert e klasave dhe janë shembur barrierat që ekzistonin më parë. 

Ndikimi i këtij programi është i dukshëm nga reagimet e menjëhershme të pjesëmarrësve që punojnë në shkolla në Gllogoc, Kamenicë, Ferizaj, Kaçanik, Gjilan, të cilët e kanë parë si mundësi për hapjen e horizonteve profesionale. 

Deri më tani, KosEd ka certifikuar mbi 1,000 mësimdhënës në kuadër të programit “Modeli i Kosovës për sigurim të cilësisë të udhëhequr nga profesionistët e edukimit”, duke u fokusuar në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në shkolla.

Modeli i Kosovës për sigurim të cilësisë të udhëhequr nga profesionistët e edukimit vazhdon të rritet dhe me kalimin e kohës do të ndihmojë në forcimin e praktikave për sigurim të cilësisë në të gjitha nivelet e sistemit, si dhe rritjen e vetëdijësimit që çon në inovacion pedagogjik dhe ndryshime strukturore.