UNDP i dorëzon Agjencisë së Forenzikës pajisje të specializuara në vlerë mbi 90,000 Euro
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) i dorëzoi Agjencisë së Forenzikës pajisje
të specializuara forenzike në vlerë mbi 90,000 Euro në një ceremoni zyrtare të mbajtur në selinë
e Agjencisë në Prishtinë.
Donacioni përfshinë një Sistem të avancuar ToolScan, i krijuar për të forcuar kapacitetet e
Agjencisë në ekzaminimin e armëve të zjarrit. Pas dorëzimit, pjesëmarrësit vizituan Divizionin e
Balistikës, ku ekspertët forenzikë demonstruan pajisjet e reja, përfshirë Borescope, Mikroskopë
Stereo dhe Sistemin TriggerScan, duke theksuar rëndësinë e tyre në përmirësimin e saktësisë dhe
efikasitetit të analizave balistike.
Pajisjet e reja shënojnë një përparim të rëndësishëm në aftësitë analitike të Agjencisë. Sistemi
ToolScan u mundëson ekspertëve të kryejnë analiza më të sakta dhe më efikase të provave
balistike, duke kontribuar në identifikimin më të shpejtë të armëve të zjarrit, përmirësimin e
lidhjeve ndërmjet rasteve dhe sigurimin e provave më të forta në proceset gjyqësore.
“Pajisjet e dorëzuara sot përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rritjen e aftësisë së
Agjencisë së Forenzikës për të ofruar ekspertizë të pavarur dhe të bazuar në shkencë, thelbësore
për drejtësinë, sigurinë e komunitetit dhe parandalimin e dhunës me armë,” tha Dudley Tarlton,
Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së.
Shemsi Duqiri, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Forenzikës, shprehu mirënjohje për partneritetin
dhe mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së, duke theksuar rëndësinë e mjeteve moderne
forenzike në forcimin e cilësisë dhe besueshmërisë së shërbimeve forenzike.
Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të Ambasadave të Gjermanisë, Holandës dhe Zyrës së
Bashkimit Evropian, duke riafirmuar angazhimin ndërkombëtar për përmirësimin e sigurisë publike
dhe harmonizimin e praktikave vendore me standardet rajonale dhe globale për kontrollin e
armëve.
Dorëzimi është pjesë e Programit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të UNDP-së, i financuar nga qeveritë
e Gjermanisë, Suedisë, Holandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë, me
mbështetjen e Bashkimit Evropian. Kjo nismë kontribuon në zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për
Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALW) 2025–2030, i cili synon të zvogëlojë rreziqet
që lidhen me përhapjen e armëve të vogla dhe të promovojë bashkëpunimin rajonal për siguri.
UNDP dhe Agjencia e Forenzikës gëzojnë një partneritet afatgjatë të përqendruar në aftësimin
institucional, modernizimin e infrastrukturës dhe ngritjen e ekspertizës profesionale. Përmes këtij
bashkëpunimi, ne vazhdojmë të punojmë drejt një mjedisi më të sigurt për të gjithë.
Për më shumë informata, ju lutemi të kontaktoni:
Burbuqe Dobranja, zyrtare për komunikim pranë UNDP-së
Tel: (038) 249 066 lok. 410; mobil: 049 720 800; email: burbuqe.dobranja@undp.org
Danijela Mitić, zyrtare për komunikim pranë UNDP-së
Tel: (038) 249 066 lok. 412; mobil: 049 720 824 e-mail: danijela.mitic@undp.org