21.12.2021.

Tre takime informuese me bashkitë, prezantohet thirrja e parë për grante

Ekipi i projektit “BE për Bashkitë” prezantoi thirrjen e parë të aplikimit për grante investimesh në tre takimet informuese të zhvilluara në Shkodër, Vlorë dhe Pogradec. Përfaqësuesit nga rreth 50 bashkitë  shqiptare të rajonit verior, jugor dhe juglindor u njohën me fushat prioritare dhe kriteret e aplikimit në thirrjen e parë të skemës së granteve, e hapur për të gjitha bashkitë deri më 17 janar 2022.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Orlando Fusco, gjatë fjalës së tij në hapjen e takimit të parë informues në Shkodër, nënvizoi rolin dhe rëndësinë që ka pushteti lokal për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai u bëri thirrje bashkive të aplikojnë me projekte që pasqyrojnë problemet dhe nevojat reale të komuniteteve lokale.

“Bashkitë duhet të konsultohen me komunitetet lokale dhe të pasqyrojnë nevojat e tyre në projekt propozime dhe është e rëndësishme të shohim projekte të realizueshme e të lidhura ngushtë me planet e zhvillimit strategjik të bashkive.”- u shpreh Fusco.

Takimi në Shkodër u përshëndet edhe nga kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e cila vlerësoi rëndësinë e mbështetjes financiare të BE-së përmes projektit më të ri “BE për Bashkitë”. Drejtuesi i Shoqatës së Bashkive Shqiptar, Agron Haxhimali, dhe drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Saimir Plaku, në fjalën e tyre inkurajuan bashkitë të përfitojnë nga kjo mundësi që do të nxisë potencialin zhvillimor të bashkive.

Ndërkohë, në takimin e dytë informues në Vlorë, kryetari Dritan Leli theksoi se: “Kjo garë e bashkive për grante do të na mësojë që të shtojmë mundësitë e marrjes së granteve të tjera nga Bashkimi Evropian në të ardhmen”. Në këtë takim, të pranishme ishin edhe Adelina Farrici, drejtuese e Shoqatës për Autonominë Vendore si dhe Aida Cacaj nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Takimi i tretë informues i organizuar në Pogradec, u përshëndet nga nënkryetarja e bashkisë, Entela Gusho, e cila tha se: “Kjo thirrje për grante investimesh është në dobi të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve vendore për të gjitha bashkitë shqiptare”.

Tre takimet informuese u ndoqën nga një prezantim i zv. Drejtueses së projektit, Entela Pinguli dhe menaxheres së granteve, Ogerta Gjiknuri, të cilat bënë një pasqyrë të përmbledhur të dokumentacionit përkatës, kritereve të lejueshmërisë dhe informacioneve relevante për procesion e aplikimit në thirrjen e parë të granteve. Kjo thirrje ka në fokus rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendore si dhe promovimin, mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Cikli i takimeve informuese për 61 bashkitë në Shqipëri do të përmbyllet më 9 dhjetor me takimin e katërt në Tiranë me përfaqësuesit e bashkive të rajonit qendror.