23.09.2021.

“SEREC” – po zbaton suksesshëm praktikat e ekonomisë qarkore në Kosovë

Ekonomia qarkore është një term dhe koncept krejtësisht i ri në Kosovë. Në nivel global, një model i tillë u ideua në vitet e 60-ta, por filloi të zhvillohej në fillim të viteve 2000, si kundërpërgjigje ndaj krizës ekonomike dhe sfidave tjera globale. Ndërsa sot është një alternativë e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i cili nënkupton përdorim efikas të resurseve natyrore, ulje të ndotjes, menaxhim të mbeturinave dhe të tjera. Një model i tillë ekonomik, siguron kreativitet, inovacion, gjeneron vende të reja të punës dhe siguron mbrojtje të mjedisit.

Në Kosovë iniciativat dhe modelet e tilla të zhvillimit ekonomik janë të pakta. Njëra ndër to është projekti “SEREC” i implementuar nga organizata “Let’s do it Peja”, dhe i përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Projekti përmes aktiviteteve të ndryshme të bazuara në konceptet e ekonomisë qarkore, ka për qëllim të mbështesë zhvillimin e ndërmarrësisë sociale në Pejë, dhe të mbështes rritjen e punësimit të grupeve të margjinalizuara, kryesisht të grave dhe të rinjve. Njëri nga aktivitetet kryesore të projektit është grumbullimi dhe ripërpunimi i materialeve dhe rrobave të tekstilit.  

Arba Shehu, menaxhere e projektit tregon se ideja e nisjes së një projekti të tillë erdhi nga keq-menaxhimi i mbeturinave dhe mbetjeve në Kosovë.

Arba Shehu – menaxhere e projektit “SEREC”

“Për vite me radhë, institucionet publike kanë dështuar në zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave. Riciklimi i vogël që ndodh është bërë i mundur kryesisht përmes kontributit individual të mbledhësve të mbeturinave. Shumica e rrjedhave të mbetjeve të identifikueshme në vend, përfundojnë në deponi legale dhe ilegale, ndërsa shumica dërrmuese nuk janë në përputhje me standardet themelore mjedisore dhe shëndetësore. Edhe pse korniza ligjore është përafruar pjesërisht me atë të BE-së, mbeturinat mbeten një nga problemet më domethënëse në Kosovë” – deklaron Shehu.  

Tutje, ajo shton se aktivitetet kryesore të projektit janë të ndërtuara mbi aksiomën e ekonomisë qarkore: Redukto – Ripërdor – Riciklo. Nisur nga kjo, sipas Shehut, përpos avokimit dhe trajnimeve për ngritjen e vetëdijes rreth ekonomisë qarkore, njëri nga aktivitetet kryesore të organizatës është grumbullimi dhe ripërdorimi i materialeve dhe veshjeve të tekstilit. Për këtë arsye, ata kanë vendosur kutinë e grumbullimit të rrobave në qendër të qytetit të Pejës, ku qytetarët i hedhin rrobat dhe materialet e tekstilit që nuk i përdorin.

Grumbullimi i rrobave në baza ditore nga stafi i organizatës “SEREC”

Rrobat e grumbulluara, pranohen dhe vlerësohen se a janë të destinuara për ripërdorim (shitje në dyqan), ridizajnim apo riciklim. Rrobat e ridizajnuara dhe ato të cilat janë të gatshme për shitje, vendosen në shitje në dyqanin me rroba të përdoruara “3R”, i cili është hapur në kuadër të projektit, pikërisht mbi konceptin e ndërmarrësisë sociale.

Ndërmarrja sociale/dyqani “3R” me rroba të përdorura

Për më shumë, i gjithë enterieri i dyqanit “3R” dhe punëtorisë së projektit është i punuar me material të ricikluar nga mbeturinat.

Përpos ripërpunimit dhe ripërdorimit të materialeve të tekstilit, hapjes së ndërmarrjes sociale (dyqanit 3R), projekti “SEREC” ka arritur që suksesshëm të trajnojnë nxënësit e shkollës së artit “Odhise Paskali”, të cilët aftësohen për të ridizajnuar rrobat dhe në të njëjtën kohë i praktikojnë ato njohuri. 

Aktiviteti i trajnimit dhe mentorimit për ridizjanim të rrobave me nxënëset e Shkollës së Artit “Odhise Paskali”

Merima Zoranić nga Peja, ishte njëra ndër pjesëmarrëset e trajniminit për Zhvillimin e Ndërmarrësisë Sociale dhe Ekonomi Qarkore.

 “Shkathtësitë që kam fituar në këtë trajnim mund të thuhet se janë të një niveli të lakmueshëm, si në temën e ekonomisë qarkore ashtu edhe në punën në grupe. Njohuritë e fituara në këtë trajnim sigurisht që do ti zgjeroj dhe do t’i ndaj me  njerëzve përreth meje, kryesisht për sa i përket riciklimit, sepse e vogla jonë do të thotë shumë për dikë” – Merima Zoranić – pjesëmarrëse e trajniminit për Zhvillimin e Ndërmarrësisë Sociale dhe Ekonomisë Qarkore.

Arbër Hoxha nga Vushtrria, ishte një tjetër pjesëmarrës i trajnimit mbi ndërrmarësinë sociale dhe ekonominë qarkore.

Hoxha thotë se trajnimi i ka ndihmuar jashtëzkonisht për të kuptuar më shumë rreth koncepteve të ekonomisë qarkore dhe ndërmarrësisë sociale.

“Gjatë trajnimit kam përfituar nga shumë njohuri të reja që më parë nuk i kam ditur. P.sh: Dallimi ndërmjet ekonomisë lineare dhe ekonomisë qarkore. Gjithashtu kam mësuar se si një organizatë jo-qeveritare, mund të hap një ndërmarrje sociale” – Arbër Hoxha, pjesëmarrës i trajniminit për Zhvillimin e Ndërmarrësisë Sociale dhe Ekonomisë Qarkore.

Këto janë vetëm disa nga aktivitetet e projektit “SEREC”, i cili synon të jetë i vetë-qëndrueshëm dhe të vazhdojë me aktivitete edhe pas përfundimit të projektit, pasi që koncepti i ekonomisë qarkore dhe ndërmarrësisë sociale i mundëson të gjenerojë të hyra dhe të ketë stabilitet financiar.

Projekti përkrahet nga Zyra e BE-së në Kosovë, dhe implementohet nga organizata “Let’s do it Peja”.