09.04.2024.

Sektori privat u ndihmon të rinjve t’i afrohen punësimit

Sektori privat në Kosovë po merr rolin prijës në eksplorimin e zgjidhjeve inovative dhe të bazuara në treg për ofrimin e mundësive profesionale të rinjve të Kosovës. Me mbështetjen e USAID-it, gjashtë biznese dhe një shkollë publike kanë identifikuar mënyra për të kapërcyer hendekun e shkathtësive dhe për t’i transformuar të rinjtë e Kosovës në një aset konkurent për ekonominë e vendit.

Në veçanti, aktiviteti i USAID-it Zhvillimi i Fuqisë Punëtore i Udhëhequr nga Sektori Privat po punon në ralizimin e ndryshimeve transformuese në tri nivele – përmes njerëzve, përmes institucioneve të ndërtimit të shkathtësive dhe përmes një ekosistemi që mbështet një fuqi punëtore të larmishme. Përmes Grantit të Inovacioneve në Fuqinë Punëtore, ky aktivitet po investon 400,000 dollarë amerikan në sektorët a agrobiznesit, TIK-ut dhe përpunimit të drurit. Partneriteti i USAID-it do të nisë 17 programe të reja dhe të avancuara si dhe do t’i trajnojë mbi 1,200 individë.

Kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike, por edhe me gjithpërfshirje. USAID-i, përmes akordimit të granteve bizneseve private, synon të ushtrojë ndikim tek të papunët duke u dhënë përparësi mundësive për avancim të shkathtësive dhe punësueshmërisë për individë të ndryshëm. Me përkushtim ndaj gjithpërfshirjes, fondi i granteve shënjestron veçanërisht të papunët në mesin e të rinjve, grave dhe grupeve të margjinalizuara nga Prishtina, Drenasi dhe Vushtrria.

Me implementimin e granteve, sektori privat do t’i kontribuojë në mënyrë aktive riformësimit të fuqisë punëtore të Kosovës, duke krijuar parakushtet për një të ardhme më të ndritshme dhe më të prosperueshme, të udhëhequr nga inovacioni, bashkëpunimi dhe një përkushtim i palëkundur ndaj zhvillimit gjithpërfshirës.