15.09.2025.

Riverclean, BE financim projekteve mjedisore në basenet e lumenjve Ishëm dhe Vjosë në Shqipëri

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi hapjen e thirrjes për aplikime nga organizatat e shoqërisë civile, për financim të projekteve mjedisore në kuadër të programit Riverclean.

BE do të financojë projekte që fokusohen në mbështetjen e praktikave të qëndrueshme dhe pa plastikë në zonat e baseneve të lumenjve Ishëm dhe Vjosë.

“Përmes kësaj thirrjeje, janë të disponueshme grante deri në 15,000 euro për projekte që synojnë të reduktojnë ndotjen nga plastika, të promovojnë ndërgjegjësimin mjedisor dhe të nxisin modele të reja menaxhimi të mbetjeve në këto zona të ndjeshme ekologjikisht”, njoftoi Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Afati i aplikimeve është deri në datën 8 shtator 2025.

Organizatat e interesuara mund të mësojnë më shumë dhe të aplikojnë për financim në këtë link: https://milieukontakt.org/call-for-proposal-riverclean

Iniciativa Riverclean është pjesë e angazhimit të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtyre praktikave në nivel lokal.

Bashkimi Evropian përmes disa projekteve ka mbështetur zgjidhjen e qëndrueshme të problematikave mjedisore në Shqipëri, ndërsa vendi ka hapur negociatat për anëtarësim.