31.05.2023.

Restaurohet mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar, gati 1 milion euro për punimet e projektit të financuar

Mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar më parë iu nënshtrua një procesi restaurimi, një punë që vijoi për muaj me radhë. Një vepër që paraqiste probleme prej vitesh dhe u la pa ndërhyrje, ku herë pas here autorët janë shprehur se duhej shpëtuar. Ky restaurim u mundësua falë programit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ku mbrëmë u bë dhe ceremonia e inaugurimit të mozaikut të restauruar. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar u përurua në nëntor të vitit 1981. Vepra është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Programi “EU4Culture” shprehet në faqen e tij në rrjete sociale se u punua për 22 muaj me projektin për restaurimin e mozaikut. “Restauruesit e ndanë mozaikun në segmente dhe e punuan çdo segment të dëmtuar në një atelie të përshtatur në muze, duke zëvendësuar, në zonat e prekura, hekurat dhe copëzat e ndryshkura me të reja. Gjatë 22 muajve, ata pastruan me kujdes dhe lyen me llak të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Buxheti total i punimeve arriti në gati një milion euro (bazuar në kursin aktual të këmbimit)”, thuhet nga “EU4Culture”. Autorët e mozaikut ndihmuan ekipin e “EU4Culture” në porositjen dhe blerjen e teserave nga fabrika me qendër në Venecia, Itali, e cila fillimisht i prodhoi ato 40 vite më parë. Sipas “EU4Culture” kjo nuk ishte detyrë e lehtë, pasi ekspertët duhej të merrnin në konsideratë një sërë kompleksitetesh, si gjetja e mineraleve, ndikimi i temperaturave të jashtme, nivelet e lagështisë së jashtme, luhatjet termike në ditët dhe netët e prodhimit dhe shumë faktorë të tjerë. “Fatkeqësisht, disa nga mineralet e përdorura për prodhimin e teserave origjinale nuk ishin më të disponueshme dhe kimistët dhe teknologët duhej të bënin më shumë për të identifikuar dhe krijuar materiale që përputheshin saktësisht me tonet e ngjyrave origjinale”, bëhet me dije për materialet.

Krijimi i ateliesë

Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti, ku efektet e tij shkaktuan dëme të mëdha në 11 bashki, duke përfshirë objekte të shumta të trashëgimisë kulturore, midis tyre edhe mozaikun. Në maj të vitit 2021, “EU4Culture” shprehet se krijoi atelienë, që do t’i shërbente procesit të restaurimit duke formuar një ekip ekspertësh multidisiplinor të përbërë nga inxhinierë, teknologë, specialistë të konservimit, restaurator dhe artistë që punuan për mozaikun në vitet 1980. “Pas diskutimeve të shumta dhe në konsultim me disa nga autorët, ekipi përcaktoi qasjen më të përshtatshme për restaurimin me fokus ruajtjen e elementeve origjinalë, duke marrë në konsideratë teknikat dhe materialet origjinale të përdorura si dhe zhvillimet moderne të teknologjisë në konservim dhe restaurim”, thuhet për punën. “EU4Culture” bën me dije se ekipi u përball me sfidën e madhe të ruajtjes së sipërfaqes së mozaikut prej 565 m2, një hapësirë më e madhe se përmasat e një fushe basketbolli. “Për ta arritur këtë, konservatorëve iu desh të dokumentonin me kujdes mozaikun gur pas guri me dorë, duke përdorur një rrjetë plastike dhe letër kalku. Kjo përfshinte analizimin dhe regjistrimin e 123 toneve të ndryshme të ngjyrave dhe qindra mijëra gurëve individualë (tesserae) në një shkallë 1:1”, shprehet “EU4Culture”. Gjatë riparimit, sipas “EU4Culture” u zbulua se shtresat e çatisë të shtuara përgjatë viteve ishin pesë herë më të trasha se sa ishte parashikuar gjatë fazës së projektimit. Si pasojë, u hoqën më shumë se 437 tonë mbeturina dhe çatia u hidroizolua e u nivelua për të shmangur kontaktin e mozaikut me ujin e shiut. Mozaiku “Shqipëria” është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri.