25.08.2021.

Projekti për demokracinë dhe aksionin civil/ Qeveria shqiptare dhe ajo zvicerane nënshkruajnë marrëveshjen

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko dhe Zv.shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier nënshkruan, sot, marrëveshjen që formalizon bashkëpunimin zvicerano-shqiptar për forcimin e aksionit civil në nivel vendor përmes “LëvizAlbania”, një projekt që financon nisma për përmirësimin e demokracisë dhe shërbimeve në nivel bashkie.

“Nënshkrimi i sotëm formalizon fazën e dytë të këtij projekti, që do të zgjasë deri në 30 qershor 2023. Totali i parashikuar për t’u shpenzuar për fazën e dytë kap shumë 6.9 milionë franga zvicerane. Ky projekt ka synim kryesor forcimin e mirëqeverisjes në nivel lokal, me përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile. Duke pasur mbështetjen e palës zvicerane që përfaqëson një model të përkryer të vetëqeverisjes lokale, ne jemi të sigurt se ky projekt do të realizojë më si miri qëllimet e përcaktuara”, tha zv.ministrja Kuko.

Një gamë e gjerë aksionesh, nismash dhe projektesh të mbështetur dhe të financuar nga LevizAlbania përfshijnë rritje të transparencës, menaxhimin më të mirë financiar, dhe shërbime të reja në nivel bashkie. Nisma të tjera adresojnë përfshirjen sociale, çështjet e rinisë, kulturën dhe mjedisin.

Ne e shohim angazhimin civil si thelbësor për demokracinë. Prania dhe aksioni i aktorëve të shoqërisë civile është shumë i nevojshëm për të siguruar që vendimet merren për interesin më të mirë të qytetarëve dhe të publikut. Grupet dhe individët civilë aktivë sjellin para zyrtarëve të zgjedhur shqetësime dhe zgjidhje të cilat nuk mund dhe nuk duhet të injorohen”, tha Patrik Meier, Zv.shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës.

LevizAlbania synon të aftësojë aktorët civilë që të ndikojnë qeverisjen vendore dhe të përmirësojnë demokracinë dhe dhënien e shërbimeve nga bashkitë. Ky është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që siguron mbështetje për organizata, grupe informale dhe individë aktivë në fushën e aksionit civil, deri në vitin 2023.