Programet e BE-së, asistencë teknike në forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë
Ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin Sejko për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë.
Progresi i Shqipërisë dhe sfidat me të cilat përballen vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, duke skicuar, njëkohësisht, qasjen e Komisionit Evropian për të udhëhequr dhe mbështetur procesin e zgjerimit ishin në qendër të takimit midis Guvernatorit të bankës qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Takimi u zhvillua në mjediset e bankës qendrore ku guvernatori Sejko falënderoi Gonzato-n për asistencën teknike që BE ka dhënë për forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet fondeve IPA dhe programeve Twinning, në fusha të rëndësishme të bankingut qendror si stabiliteti makroekonomik dhe financiar, auditimi, mbikëqyrja dhe sistemet e pagesave, në mbështetje të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në Eurosistem.
Ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin Sejko për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ai theksoi se me këtë anëtarësim, Banka e Shqipërisë përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Gjatë bisedës, Guvernatori Sejko e njohu bashkëbiseduesin me panoramën ekonomike në Shqipëri, ku theksoi se pavarësisht situatave sfiduese, ecuria ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë. Guvernatori Sejko theksoi se fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. (22 nëntor)