10.10.2021.

Prezenca e OSBE-së nis projektin e financuar nga Bashkimi Evropian për monitorimin e çështjeve gjyqësore të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri

Më 2 korrik 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, organizuan takimin e parë me organizata të shoqërisë civile për të paraqitur një projekt të financuar nga Komisioni Evropian me titull “Mbështetje për një administrim më efektiv të drejtësisë në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri përmes monitorimit të proceseve gjyqësore”.

Projekti trevjeçar do të mbështetë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë në krijimin e një baze të shëndoshë rezultatesh në hetimin dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Si pjesë e projektit, Prezenca e OSBE-së do të monitorojë çështje gjyqësore të përzgjedhura, mbështetur në metodologjinë e OSBE/ODIHR-it për monitorimin e gjyqeve, të përshtatur për këtë projekt, si edhe do të mbështetë zbatimin e disa politikave të propozuara nga institucionet përkatëse. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile dhe median, projekti do të theksojë rëndësinë e monitorimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në hetimin dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si edhe do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Ky projekt është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal, të zbatuar nga OSBE-ja, i cili fokusohet te mbështetja për një administrim më efektiv të drejtësisë lidhur me çështjet e korrupsionit të rëndë dhe të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. 

Gjatë takimit të sotëm, përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së dhe të Prezencës së OSBE-së theksuan rolin thelbësor që luajnë shoqëria civile dhe media në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përgjigjen që u duhet dhënë krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ata shprehën përkushtimin e tyre të vijueshëm për të fuqizuar më tej shtetin e së drejtës në Shqipëri.