14.10.2021.

Prezantohet projekti “Barometri i Shkathtësive në Kosovë” i financuar nga BE-ja, ja çka përmban

Projekti ALLED 2 i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencioni Austriak për Bashkëpunim, sot kanë prezantuar “Barometrin e Shkathtësive në Kosovë”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, përmes këtij projekti, Kosovës për herë të parë do t’i mundësohet që përmes mbështetjes së Odës Ekonomike të Kosovës do të zhvillojë hulumtimin sistematik të aftësive të nevojshme për tregun e punës, deri në 5 vitet e ardhshme.

Agon Dula, koordinatori i bashkëpunimit në mes sektorit privat dhe AAP-së në projektin ALLED2, ka theksuar që përmes këtij mekanizmi, të emëruar Barometër i Aftësive të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë në gjendje t’i sigurojë qeverisë sonë dhe institucioneve të tjera të dhëna të shkathtësive që do të mbledhen çdo tre vjet, si një input i rëndësishëm strategjik për zhvillimin e politikave të duhura për arsim dhe punësim.

Në anën tjetër Ambasadori i Austrisë në Kosovë,  Christoph Weidinger ka theksuar që Austria mbetet e përkushtuar në përkrahje të Zhvillimit të Arsimit mbi nevojat e tregut të punës, dhe po ashtu ka cekur qëndrimin e Austrisë ku përmes projektit ALLED2 po i bashkojnë forcat me BE-në duke krijuar një sinergji në lansimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm siç është Barometri i Shkathtësive në Kosovë. 

Drejtoresha e Projektit ALLED 2 Efka Heder ka cilësuar Barometrin e Shkathtësive, si tejet të rëndësishëm pasiqë, do të na japë informacion mbi atë që ne si ekonomi – biznese, se cilat shkathtësi do të na duhen në të ardhmen për të ndërtuar konkurrencën tonë dhe të jemi të gatshëm për investime dinamike dhe tërheqëse.

“Në kohë sfiduese si kjo, krijimtaria, inovacioni dhe mendësia sipërmarrëse e gatshme për të marrë “milje shtesë” është e domosdoshme. Dhe per kete jemi te perkushtuar ne në ALLED2”, ka thekesuar Heder.

Ajo me tutje ka shtuar se të jesh përgjegjës për të ardhmen tonë siç është e ardhmja në shkollat tona SOT mjete të shëndosha dhe të zgjuara të planifikimit me zgjidhje dixhitale të aplikuara janë të domosdoshme.

Berat Rukiqi, Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës ka falënderuar Projektin ALLED2, Ambasadorin e Bashkimit Evropian si dhe Ambasadorin e Austrisë në Kosovë në përkrahjen e Barometrit te Shkathtësive në Kosovë, që është një ndër instrumentet më të rëndësishme që do të përdoret në identifikimin e shkathtësive për punë në Kosovë.