12.05.2023.

Prezantohet Platforma Elektronike e Raportimit Financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – Rritja e transparencës dhe e llogaridhënies së partive politike dhe fushatave elektorale në Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) prezantoi sot në një tryezë të nivelit të lartë Platformën Elektronike të Raportimit Financiar, të zhvilluar me mbështetjen e Veprimit kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri. Platforma elektronike është një instrument inovativ dhe i qëndrueshëm që kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies mbi financimin e partive politike, si dhe në parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale në Shqipëri.

Platforma, e zhvilluar me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, synon të përmirësojë dhe dixhitalizojë proceset e raportimit, kohën dhe saktësinë e mbledhjes së të dhënave me qëllimin final për të përmirësuar kapacitetet monitoruese të KQZ-së për proceset e sipërpërmendura. Platforma do të përmirësojë zbatimin efektiv të parashikimeve ligjore të Kodit Zgjedhorë dhe do të lehtësojë angazhimin dhe iniciativat monitoruese të shoqërisë civile dhe medias, duke rritur kontrollin dhe llogaridhënien mbi financimin e partive politike.

Në fjalën përshëndetëse, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke e cilësuar platformën elektronike si një nga projektet dixhitale më të rëndësishme që KQZ-ja ka planifikuar të zhvillojë, theksoi se kjo platfomë krijon një mundësi shumë të mirë për administrimin e plotë dhe të saktë të të dhënave të raportuara, për të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike në vite kalendarike dhe gjatë fushatave zgjedhore. “Kjo platformë nuk është mekanizmi që zgjidh përgjithmonë problematikën që lidhet me financimin e partive politike, por mundëson një monitorim dhe mbikqyrje efikase për të gjithë kategoritë e raportuesve: monitorues, auditues ligjor, financierë të partive politike dhe kandidatë. Qëllimi i platformës është të përmirësojë dhe të rrisë aksesin në informacion, transparencë në kohë të shpejtë, si edhe të përmirësojë cilësinë e të dhënave dhe përpunimit të tyre nga të gjithë përdoruesit e platformës” – theksoi Komisioneri Celibashi.

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, theksoi se - “Konkurrenca e ndershme bazohet në transparencë dhe këtë po ofrojmë nëpërmjet kësaj platforme. Projekti është pjesë e një përpjekje më të madhe për të luftuar jo vetëm perceptimin, por edhe realitetin e korrupsionit. Duke përmirësuar transparencën, korrupsioni nuk ka shance të qëndrojë sepse ne hedhim dritë mbi të. Kjo është një mundësi e vërtetë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam e bindur se platforma do të vlejë shumë edhe për partitë politike sepse edhe ato duhet të luftojnë për transparencë”.

Kreu në detyrë i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Olsi Dekovi, theksoi se platforma elektronike do të forcojë zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s dhe të Komisionit të Venecias në lidhje me financimin e partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe aktorë të tjerë kanë tani një instrument të fuqishëm transparence dhe llogaridhënieje i cili duhet të përdoret në mënyrë efektive.

Funksionalitetet e platformës u prezantuan për përfaqësuesit e partive politike dhe autoriteteve publike, për monitoruesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, financierët e partive politike, audituesit ligjorë, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe median, të cilët më tej shkëmbyen pikëpamje dhe diskutime mbi rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse.

Zhvillimi i platformës dhe organizimi i kësaj tryeze u mbështetën nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian/Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal III), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.