01.10.2021.

PLATFORMA E RE MUNDËSON IDENTIFIKIMIN AUTOMATIK TË PROKURIMEVE PUBLIKE TË KONTESTUESHME

Abuzimi i përhapur dhe korrupsioni e kanë pllakosur në vazhdimësi prokurimin publik në Kosovë, ndërsa shoqëria civile dhe zyrtarët mbikëqyrës qeveritar përpiqeshin të gjenin zgjidhje. Kjo gjendje filloi të ndryshojë kur Qeveria e Kosovës ndërmorri një sërë reformash të jashtëzakonshme në bashkëpunim me aktivitetin e USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse. Disponueshmëria e të dhënave të prokurimit publik, përfshirë kontratat, në një sistem elektronik nacional të prokurimit online ka çuar deri te ndryshimet madhore në transparencë dhe i ka bërë autoritetet kontraktuese më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Presidenti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, agjenci kjo qëndrore e qeverisë që mbikëqyr prokurimin publik, deklaroi: "Sot, ne ofrojmë instrumente dhe sisteme që sigurojnë se paratë publike shpenzohen mirë dhe për atë që janë destinuar, ndërsa hetuesit mund t'i përcjellin ato me lehtësi. Ne kemi shkuar përtej kësaj me masa të transparencës dhe e kemi bërë Kosovën një pioniere rajonale, duke vendosur standarde në këtë drejtim.” Kosova është i vetmi vend në rajon që ka futur një Ndërfaqe të Programimit të Aplikimit (API) në sistemin e saj nacional të prokurimit për të përmbushur standardet e të dhënave të kontraktimit të hapur.

Aftësia e softuerëve tjerë për t'u lidhur me sistemin nacional të prokurimit të Kosovës përmes një API u ka dhënë mundësinë organizatave vëzhguese të prezantojnë formate të reja lehtësisht të përdorueshme, siç është Portali i i mirëthemeluar i Transparencës së Prokurimit të Hapur, i krijuar nga OJQ-ja Fol në bashkëpunim me USAID-in. Duke ndërtuar mbi këtë sukses, një OJQ tjetër e Kosovës, Demokracia Plus, rishtazi zhvilloi Platformën e Flamurit të Kuq (Red Flag), e cila është e inkorporuar në portalin e transparencës. Platforma e re përdor formula dhe algoritme për t’i filtruar kontratat e prokurimit nëpër nëntë tregues të flamurit të kuq dhe për t’i shenjuar ato që duken të kontestueshme apo që japin indikacion se janë të prirura ndaj korrupsionit. Gazetarët tashmë po përdorin Platformën e re të Flamurit të Kuq për t’i identifikuar rastet e mundshme të korrupsionit.