27.04.2022.

Përmirësimi i performancës së gjykatave në Shqipëri, përmes anketave të kënaqësisë së përdoruesve

Përdoruesit e gjykatave në Shqipëri tani do të kenë mundësinë të vlerësojnë cilësinë dhe efikasitetin e performancës së gjykatave bazuar në përvojën e tyre individuale. Sistemi i ri dhe inovativ online, i lançuar sot në Gjykatën e Rrethit Tiranë, do të synojë të mbledhë komentet e avokatëve, prokurorëve, ekspertëve, dëshmitarëve dhe palëve në një çështje gjyqësore, si dhe përdoruesve të shërbimeve administrative, me qëllim përmirësimin e shërbimit të drejtësisë.

Sistemi iu prezantua sot përfaqësuesve kryesorë nga institucionet e drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe media në një aktivitet publik të organizuar nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë të Gjyqësor, theksoi rëndësinë e sistemit të ri online për të vlerësuar cilësinë e shërbimeve të drejtësisë dhe për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta në funksionimin e gjykatave nga këndvështrimi i përdoruesve. “Sot ne kemi një instrument që e administron Këshilli i Lartë Gjyqësor, i pari në rajon por edhe vende të tjera të BE-së nuk e kanë, që na jep mundësi të masim cilësinë e shërbimeve të ndryshme të gjykatave. Kjo përbën një risi për t’u përgëzuar, dhe dua të falenderoj Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre”, u shpreh Llagami.

Flamur Kapllani, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, në fjalën e tij përshëndetëse u fokusua në rëndësinë e këtij sistemi vlerësimi për përmrësimin e sistemit të drejtësisë. “Ky pyetësor do na shërbejë për të identifikuar ato mangësi që gjykata nuk I sheh, dhe të mund t’i adresojmë këto mangësi duke përmirësuar shërbimet tona dhe qytetarët e publiku ta perceptojnë që drejtësia vërtet po jepet.”, theksoi Kapllani

Jutta Gützkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj njohu progresin në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimit publik të drejtësisë që u ofrohet qytetarëve shqiptarë, në përputhje me vlerat evropiane si pjesë e rëndësishme e reformës së vazhdueshme në drejtësi. “Në këtë fazë të reformës në drejtësi, reagimet e përdoruesve të gjykatave, identifikimi i nevojave të tyre dhe vlerësimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara janë element kyç për të mbështetur gjykatat kombëtare për të ofruar shërbime të përmirësuara të drejtësisë për qytetarët shqiptarë”.

Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ai përgëzoi Këshillin e Lartë Gjyqësor për mundësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor si dhe mjeteve të teknologjisë së informacionit për këtë instrument, si dhe falenderoi Gjykatën e Rrethit Tiranë për mbështetjen në pilotimin e këtij projekti për herë të parë në Shqipëri. 

Platforma online do të pilotohet në gjykatat e rretheve të Tiranës dhe Vlorës për t'u shtrirë më tej në gjykatat e mbetura me finalizimin e hartës së re gjyqësore. Përdoruesit e gjykatave mund të aksesojnë dhe plotësojnë anketën duke skanuar kodin QR nga tabelat e vendosura në gjykatë ose nëpërmjet faqeve përkatëse të internetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Matja e kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës në lidhje me aspektet kyçe të shërbimit të drejtësisë synon jo vetëm të rrisë përgjegjshmërinë dhe reagimin e administratës të gjykatës, por edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, sistemi është një iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor i zhvilluar me mbështetjen e projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Forcimin e Efikasitetit dhe Cilësisë të Drejtësisë në Shqipëri, pjesë e nismës së përbashkët të titulluar “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019- 2022”.