Për efiçiencë më të mirë të energjisë: Fondi i Kosovës për efiçiencë të energjisë
Prej themelimit të tij, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) është zhvilluar me shpejtësi duke ofruar shërbime profesionale me cilësi të lartë për të arritur synime ambicioze të efiçiencës së energjisë përmes masave për rinovime. Marrë parasysh se sektori i ndërtimtarisë është konsumatori më i lartë i energjisë në Kosovë, FKEE-ja është fokusuar në ndërtimin e rinovimeve me masa për efiçiencë të energjisë, për të ulur kërkesën për energji për ngrohje dhe ftohje.
Projektet fillestare u përqendruan në sektorin publik në nivel komunal ku përmes një garancie prej 20 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës, FKEE-ja zbatoi për herë të parë në Kosovë projekte për efiçiencë të energjisë. Këto projekte ishin pjesë e skemës së kthimit sipas Marrëveshjeve për Shërbimet e Energjisë me komunat, ku shlyerja bazohet në kursimin e energjisë por nuk kalon një periudhë prej 15 vjetësh.
Në sektorin publik, FKEE ka kryer dy thirrje publike, duke ftuar të gjitha komunat e interesuara në Republikën e Kosovës që të përmirësojnë efiçiencën e energjisë të ndërtesave të tyre publike dhe sistemeve të ndriçimit të rrugëve. Në këto dy thirrje aplikuan 24 komuna, me gjithsej 184 nënprojekte, nga të cilat 150 kanë nënshkruar marrëveshje për fillimin e projekteve. Nga këto 150 nënprojekte, janë zhvilluar auditime të detajuara të energjisë dhe projekte teknike për 86, për të cilat zbatimi ka filluar në mars të vitit 2022. Deri tani, masat për EE për 83 nënprojekte janë zbatuar tërësisht deri në fund të dhjetorit 2023, dhe 3 të tjera janë ende në fazën e zbatimit. Tridhjetë e katër nënprojekte të tjera janë në proces auditimi dhe dizajnimi dhe do të fillojnë zbatimin në vitin 2024, bazuar në fondet e disponueshme.
Nga ana tjetër, nëpërmjet programit IPA (20 milionë euro), FKEE lansoi një projekt emergjent për të investuar në masat për efiçiencë të energjisë në sektorin e banimit, duke targetuar në mënyrë të veçantë ndërtesat e ekonomive familjare dhe ndërtesat sociale me shumë banesa në pronësi të komunave.
Për secilën nga këto dy shtylla, FKEE-së i është ndarë nga Qeveria e Kosovës një shumë prej 10 milionë eurosh nga Granti i BE-së.
Zbatimi i Masave për Efiçiencë të Energjisë në Ekonomi Familjare (10 milionë) – Grant 45% (ose 50% në rast se shtëpia është në pronësi ose në bashkëpronësi të një gruaje) e kufirit maksimal të investimit total prej 5,500 eurosh.
Deri në fund të vitit 2023, kishte pasur 3321 aplikime për rinovimin për EE të shtëpive individuale. Nga këto, 2150 raste u aprovuan paraprakisht, 142 u refuzuan dhe 19 u tërhoqën nga vetë aplikantët. Veç kësaj, 1010 raste mbeten në listë të pritjes, e cila do të përpunohet sapo të disbursohen rastet e rregullta dhe bazuar në fondet e mbetura. Deri më sot, më shumë se 1811 aplikime janë disbursuar, çka të thotë se aplikantët kanë përfunduar investimet për efiçiencë të energjisë në shtëpitë e tyre, me vlerën totale që arrin në 6,263,050.00 euro. Aktualisht, 240 aplikime nga lista e pritjes po përpunohen me auditim të energjisë të kryer nga kompanitë e kontraktuara nga FKEE-ja.