06.12.2025.

Krijimi i mundësive, forcimi i komuniteteve: Si e mbështet EU-CSP IV jetesën e qëndrueshme në mbarë Kosovën

Në mbarë Kosovën, bizneset e vogla, fermerët, artizanët dhe grupet e komunitetit po gjejnë mundësi të reja për rindërtimin e jetëve të tyre dhe për forcimin e komuniteteve e tyre përmes Programit të BE-së për Stabilizim të Komuniteteve IV (EU-CSP IV). I menaxhuar nga BE-ja në Kosovë dhe zbatuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), programi mbështet pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, për të gjeneruar të hyra dhe për të ndërtuar mjete jetese të qëndrueshme.

Çka e bën EU-CSP IV të dallohet është fokusi i tij i fortë te njerëzit, vendosmëria e tyre, idetë e tyre dhe potenciali i tyre për të kontribuar në ndryshime pozitive. Qoftë një grua që hap një punëtori rrobaqepësie, një ndërmarrës i ri që hap një biznes të vogël zdrukthtarie ose një komunitet që bashkohet për të përmirësuar shërbimet e përbashkëta, ndikimi i programit është i dukshëm në çdo komunë.

Për shumë familje, qasja në mundësitë ekonomike është me rëndësi kyçe për të qëndruar në komunitetet e tyre ose për t’u kthyer për t’i rindërtuar jetët e tyre pas vitesh jashtë vendit. Programi i BE-së për Stabilizim të Komuniteteve IV e mbështet drejtpërdrejt këtë proces duke ofruar mbështetje, pajisje dhe asistencë teknike për bizneset fillestare dhe bizneset e vogla ekzistuese. Falë kësaj mbështetje, përfituesit janë në gjendje të investojnë në mjete, makineri, fara, bagëti ose resurset e nevojshme për të ofruar shërbime konkurruese.

“Para programit, e kisha të vështirë të siguroja jetën për familjen time”, thotë një përfitues që hapi një punëtori prodhimi metalurgjik në shkallë të vogël me mbështetjen e BE-së. “Mbështetja më lejoi ta kthej një ide në biznes funksional dhe sot mund të mbështetem në të hyra të qëndrueshme”.

Storje të tilla pasqyrojnë arritjet më të gjera të programit. Deri më sot, 364 biznese të vogla, 101 projekte për zhvillim të komunitetit dhe 15 nisma bashkëpunuese janë mbështetur në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Janë krijuar ose mbështetur më shumë se 500 vende pune me orar të plotë dhe sezonale, dhe mbi 50,000 njerëz kanë përfituar tërthorazi përmes përmirësimit të të hyrave familjare dhe shërbimeve në komunitet.

Më shumë se 50% e projekteve të mbështetura fokusohen tek gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara, duke demonstruar përkushtimin e fortë të programit për përfshirje dhe mundësi të barabarta.

Mbështetja e komuniteteve të ndryshme

Programi i BE-së për Stabilizim të Komuniteteve IV punon me një gamë të gjerë të komuniteteve, duke përfshirë komunitetet serbe, rome, ashkali, egjiptiane, boshnjake, gorane, turke, kroate dhe shqiptare të Kosovës në veri të Kosovës. Mbështetja e përshtatur siguron që secili përfitues të marrë çka është më e rëndësishme për mjedisin e vet, qasjen në treg dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.

Përmes vizitave në terren, mentorimit dhe kontaktimit mobil, ekipet e IOM-it u ndihmojnë përfituesve të marrin vendime të informuara, të forcojnë planet e tyre të biznesit dhe të lidhen me tregjet lokale. Këto vizita të rregullta në terren ndihmojnë gjithashtu në ndërtimin e besimit dhe sigurojnë që ndihma t’u përgjigjet nevojave reale.

Përtej mjeteve të jetesës individuale, Programi i BE-së për Stabilizim të Komuniteteve IV mbështet edhe projekte për zhvillim të komuniteteve si shkollat multietnike, objekte mjekësore dhe përmirësime të infrastrukturës lokale. Këto nisma i bashkojnë komunitetet, inkurajojnë bashkëpunimin përtej vijave etnike dhe forcojnë hapësirat e përbashkëta nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë.

Një pikë e fortë kyçe e EU-CSP IV është koordinimi i ngushtë me programet e tjera të financuara nga BE-ja, veçanërisht ato që mbështesin kthimin vullnetar. Ky bashkëpunim siguron mbështetje të pandërprerë për familjet e kthyera, maksimizon resurset dhe forcon ndikimin afatgjatë të investimeve të BE-së.

Procedurat e qarta, proceset transparente të përzgjedhjes, ndihma në natyrë (në vend të transfereve të parave) dhe bashkëfinancimi nga përfituesit, e përforcojnë pronësinë dhe sigurojnë llogaridhënie. Lidhjet me tregun dhe kontributet në natyrë prej komuniteteve e zgjerojnë më tej shtrirjen e programit.

BE-ja ka ecur krah për krah me IOM-in dhe i është bashkuar misionit të tij për të ofruar ndihmë humanitare, për të mbështetur popullsinë e zhvendosur dhe për të kontribuar në rimëkëmbjen afatgjatë pas konflikteve. Programi i BE-së për Stabilizim të Komuniteteve IV është një ndër nismat e shumta të IOM-it të mbështetura nga BE-ja, duke demonstruar fuqinë transformuese të mbështetjes së targetuar, bashkëpunimit të komuniteteve dhe zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës. Përmes qasjes së tij me qytetarët në qendër, programi vazhdon t’u ndihmojë individët t’i forcojnë mjetet e tyre të jetesës, të fuqizojë familjet dhe të ndërtojnë komunitete më kohezive dhe reziliente në mbarë Kosovën.