08.11.2022.

“Faza tjetër e korridorit mesdhetar afron Shqipërinë me BE-në”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë javë, nisi një tur vizitash në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo – si qëllim të parë – për të shpalosur dhe diskutuar me krerët ballkanikë paketën e ndihmës së Bashkimit Evropian (BE) për të përballuar krizën e energjisë.

Por, vizita e von Der Leyen nuk u kufizua vetëm aty.

Në Shqipëri, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ajo vizitoi punimet në hekurudhën Tiranë-Durrës.

Një projekt – pjesë e Korridorit Mesdhetar – i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe BE-ja.

E ngjashme, një vizitë e tillë u realizua në Maqedoninë e Veriut për inaugurimin e punës në linjën hekurudhore.

Akset e rindërtuara do të lidhin përfundimisht portin më të madh Shqipërisë, atë të Durrësit nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, me portin e Varnës në Detin e Zi në Bullgari.

Hekurudha, që do të lidhë Tiranën me qytetin e Durrësit, është pjesë e një projekti ndërkufitar që, përfundimisht, do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi.

Ka gjithashtu plane që ajo të vazhdojë nga Mali i Zi në Bosnjë dhe duke lidhur kështu tre vendet e Ballkanit Perëndimor.

“BERZH-i po shqyrton aktualisht një tjetër investim të madh në sektorin hekurudhor shqiptar për rehabilitimin e lidhjes hekurudhore në kufirin me Malin e Zi, i cili do të sjellë mbështetjen tonë totale hekurudhore për Ballkanin Perëndimor në mbi 1 miliard euro”, tha drejtuesja e BERZH-it, Ekaterina Solovova.

Kështu, remonti i parë i madh i hekurudhës shqiptare po përparon, me punimet e ndërtimit në seksionin 34 kilometra Tiranë-Durrës.

Kjo pas disa dekadash jashtë investimeve.

Por, investimi do të përfshijë gjithashtu ndërtimin e një linje të re hekurudhore që lidh Tiranën dhe Durrësin me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Investimi, me një vlerë totale prej 92 milionë eurosh, është bashkëfinancuar me një hua prej 36.9 milionë eurosh nga BERZH-i dhe një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh të BE-së përmes WBIF.

Pjesa e mbetur e fondeve është siguruar nga qeveria shqiptare.

Rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës – një pjesë e së cilës është jofunksionale – do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta hekurudhore.

Në linjën e rikonstruktuar, koha e pritshme e udhëtimit do të jetë 22 minuta, ndërsa nga Tirana në aeroport do të zgjasë 12 minuta me një shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

Por, për ta prekur nga afër duhet pritur pranvera e vitit 2024, kur të gjitha punimet të përfundojnë.