27.09.2021.

EULEX-i dhuron tri automjete dhe pajisje të tjera për Shërbimin Korrektues të Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar një donacion nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit

“Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që gëzon tash e disa vite me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, ka pranuar donacion, tri vetura Nissan, kompjuter, UPS, ruter, printer, skaner, radiolidhje, telefona mobil, GPS, dylbi, llamba elektrike dore dhe tavolina”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Gjatë ceremonisë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ali Gashi, ka falënderuar EULEX-in për ndihmën dhe përkrahjen që po i bëjnë SHKK-së. Ai tha se ky donacion përveçse do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e punës së SHKK-së, do të kontribuojë edhe në rritjen e sigurisë nëpër të gjitha institucionet korrektuese.

Shefi i EULEX-it,  Lars-Gunnar Wigemark,  ka theksuar se ky mision ndodhet në Kosovë për të përkrahur institucionet për sundimin e ligjit, pjesë e së cilave është edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.  Ai shprehu besimin se ky donacion do t’i rrisë kapacitetet e SHKK-së në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësisë së saj.

Këto pajisje do të shfrytëzohen nga qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese. /Telegrafi/