Dita e Mësuesit, Soreca dhe përfaqësuesja e e UNDP-së Merino, vizitojnë shkollën dhe kopshtin e rikonstruktuar “Sherif Dervishi”

Tiranë, më 7 mars 2022 – Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Luigi Soreca dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së znj. Monica Merino vizituan sot shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Sherif Dervishi” në Budull të Bashkisë së Krujës.

119 nxënës, 27 fëmijë të kopshtit dhe 14 mësues e nisën vitin e ri akademik në shkollën e re të rindërtuar nga themelet falë Programit #BE për Shkollat. Shkolla e vjetër u shkatërrua tërësisht nga tërmeti i vitit 2019 që goditi Shqipërinë.

Ambasadori Soreca dhe znj. Merino vizituan ambientet e kopshtit dhe të shkollës, duke përfshirë bibliotekën, laboratorin e biologjisë dhe palestrën e brendshme. Ata biseduan me fëmijë e mësues rreth mundësive të reja të nxënies dhe mësimdhënies që ofron shkolla e re.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, tha: “Është kënaqësi të shohësh se si përgjigja e shpejtë dhe efikase e BE-së ndaj procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit po bëhet realitet në sektorin e arsimit në Shqipëri për të gjithë popullin shqiptar, qoftë në zonat rurale dhe në ato urbane. Së bashku me partnerin tonë zbatues, UNDP, kemi bërë të mundur ndërthurjen e sigurisë, gjithëpërfshirjes dhe të cilësisë në arsim përmes pjesëmarrjes dhe angazhimit të komunitetit vendas, në zbatim të plotë të parimit “Rindërtojmë së bashku”. Tashmë me rëndësi të lartë është garantimi i qëndrueshmërisë për këto shkolla të reja, përmes mirëmbajtjes së duhur dhe një kulture efikase të ruajtjes”.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Monica Merino, tha: “Jam e lumtur që gjendem këtu sot me Ambasadorin Soreca për të vizituar shkollën dhe kopshtin e sapondërtuar dhe të bisedoj me fëmijë dhe mësues. Ne jemi krenarë për partneritetin tonë me BE-në në fushën e zhvillimit. Ndikimi i këtij investimi të BE-së në arsim është jetik. Jam e lumtur që Portali i Transparencës së Programit “BE për Shkollat” tashmë ka marrë jetë. Ky portal i çon të dhënat nga burime të hapura dhe angazhimin për transparencë të Programit “BE për Shkollat” në një stad të ri. Ai mundëson akses të hapur dhe gjithëpërfshirës për publikun në procesin e rindërtimit, si dhe ndihmon në ndërtimin e besimit me përfituesit dhe publikun e gjerë”.

Shkolla e re ka nëntë klasa moderne, tre laboratorë, një klasë parashkollori, një dhomë psikologu, ambiente sportive të brendshme dhe të jashtme, mure të jashtme dhe çati me termoizolim, sistem të ftohjes dhe ngrohjes qendrore, një ashensor dhe rampa për t’u shërbyer personave me aftësi të kufizuara.

Shkolla “Sherif Dervishi” dhe të gjitha objektet arsimore që janë pjesë e Programit “BE për Shkollat”, janë ndërtuar duke u mbështetur në dy parime kryesore: #Rindërtojmëmëmirë dhe #Rindërtojmësëbashku – të cilat nënkuptojnë ndërtimin e strukturave më të forta, që mund t’u rezistojnë fatkeqësive dhe që janë në përputhje me standardet më të larta evropiane të cilësisë dhe sigurisë, me konsum efikas të energjisë për të mbrojtur mjedisin. Gjithashtu nënkuptojnë angazhimin e përfituesve si fëmijët, mësuesit, prindërit dhe komuniteti për t’i dhënë zë nevojave të tyre në procesin e rindërtimit përmes konsultimeve.

Shkolla “Sherif Dervishi” dhe kopshti i saj është një prej 63 objekteve arsimore, pjesë e Programit “BE për Shkollat”, që është financuar nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 75 milionë euro. Programi zbatohet nga UNDP. 23 objekte arsimore janë rindërtuar ose riparuar deri më tani dhe që i shërbejnë 7325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve.