27.04.2026.

BIRN dhe Internews Kosova publikuan raportin “Hartëzimi i dezinformatave” rreth narrativave ruse dhe serbe në media dhe rrjete sociale

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova) dhe Internews Kosova publikuan raportin e rrjedhës së dezinformatave në Kosovë, me theks të veçantë të dezinformatave ruse (shih raportin në shqip dhe anglisht).

Raporti “Hartëzimi i dezinformatave” ofron një analizë të trendeve të dezinformimit, aktorëve dhe mekanizmave dezinformues, narrativave mbizotëruese në diskursin publik si dhe ndërhyrjeve dashakeqe nga jashtë.

Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, shpjegoi se qëllimi i këtij projekti ishte “të hartëzohet mënyra se si shpërndahet dezinformimi [në Kosovë]”.

Raporti ndjek gjurmët e dezinformimit në Kosovë, duke marrë si mostër katër media të kontrolluara nga Kremlini, të cilat prodhuan 1,323 lajme për Kosovën nga shtatori 2025 deri në shkurt 2026. Të dhënat u nxorën gjithashtu nga 150 platforma online dhe llogari në rrjete sociale në Kosovë, ku gjatë kësaj periudhe u identifikuan mbi 20,000 lidhje të dyshimta. Në total, 2,361 artikuj u përzgjodhën për analizë të thelluar.

Xharra shpjegoi se krahas raportit të publikuar të premten janë realizuar 250 publikime gazetareske, 8 dokumentarë, debate televizive, si dhe trajnime për mbi 80 zyrtarë publikë, bursa për 15 gazetarë dhe çmime gazetarie për 3 gazetarë.

“Shtyllat kryesore kanë qenë për me bë edukim të publikut rreth dezinformimit, mbështetje për luftimin e dezinformimit, zhvillim të kapaciteteve të institucioneve tona për me luftu dezinformimin dhe në fund qëllimi i krejt këtij projekti ka qenë ajo për të cilën jemi këtu sot, me e prodhu një hartë të dezinformimit në Kosovë, me e hartëzu mënyrën që shpërndahet dezinformata”- ka deklaruar Xharra.

Duke folur në lansimin e raportit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, paralajmëroi se dezinformimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u identifikuar, veçanërisht me rritjen e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.

"Në Kosovë, si kudo tjetër, dezinformimi, siç e shohim nga ky raport, synon kohezionin social, në veçanti marrëdhëniet ndëretnike dhe besimin në zgjedhje, dhe dihet që keni pasur disa kohët e fundit, rolin e grave në jetën publike, narrativat e sigurisë, si dhe besueshmërinë e institucioneve ende të reja të Kosovës dhe synon të krijojë paqëndrueshmëri ngadalë, në mënyrë delikate dhe të vazhdueshme, dhe kjo demokraci e re në Kosovë bëhet më e cenueshme sa më shumë që helmohet ekosistemi i saj i informacionit”- ka deklaruar ambasadori.

“Ne nuk mund ta mbrojmë këtë demokraci të re nëse nuk e dimë se ajo është nën sulm, dhe pikërisht kjo është rëndësia e këtyre gjetjeve [të raportit]”- shtoi ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se arkitektura tradicionale e informacionit është dobësuar, ndërsa përmbajtja tani qarkullon përmes kanaleve të fragmentuara dhe shpesh të parregulluara.

“Në mungesë të kësaj arkitekture etike dhe reagimi ynë ndaj dezinformimit mbetet i shpërndarë, i pakoordinuar dhe reaktiv. Dezinformimi është bërë pjesë e një logjike të gjerë ndikimi që operon përtej mediave dhe përtej kufijve të shtetit. Ai nuk prodhohet as pa dashje, as rastësisht. Ai planifikohet me shumë kujdes dhe shpërndahet në mënyrë të koordinuar përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë mediat tradicionale dhe platforma digjitale shpesh pa autorë të identifikueshëm dhe pa përgjegjësi të qartë”- ka deklaruar Haxhiu.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com dhe një nga autorët e raportit, tha se shumë nga dezinformatat që arrijnë te audienca në Kosovë burojnë nga media të lidhura me shtetin rus dhe më pas ripublikohen ose përshtaten nga media dhe faqe në rrjetet sociale në Kosovë.

“Në më pak se gjashtë muaj janë prodhuar mbi 1,300 artikuj të financuar nga Rusia – kryesisht nga Sputnik dhe Russia Today” – tha Gashi, duke shtuar se “mediat e kontrolluara nga Kremlini operojnë me një buxhet rreth 400 milionë euro”.

“Me atë buxhet, prodhohen mesatarisht 7.3 artikuj për Kosovën çdo ditë” – shtoi ai, duke theksuar se “qëllimi është dezinformimi”.

Raporti thekson gjithashtu cenueshmërinë në rritje të sektorit mediatik në Kosovë, i cili po ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj përmbajtjeve të jashtme për shkak të krizës financiare dhe burimeve të kufizuara për raportim në terren.