BERZH mbështet bizneset e vogla në Kosovë
5 milionë euro kredi për Raiffeisen Leasing Kosova për të ndihmuar në ringjalljen e NVM-ve lokale |
|
- BERZH i jep hua deri në 5 milionë euro Raiffeisen Leasing në Kosovë për kreditimin e NVM-ve
- Të paktën 70 për qind e investimeve do të përdoren për projekte të gjelbra
- Grante stimuluese deri në 15 për qind të shumës së kredisë financuar nga Danimarka, si dhe nga Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shtyn përpara ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë duke i dhënë kredi Raiffeisen Leasing në Kosovë.
Financimi nga Banka deri në 5 milionë euro në kuadër të Programit Ringjallje për NVM-të do t'i mundësojë Raiffeisen Leasing në Kosovë të rrisë qasjen në financa për bizneset e vogla, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së Kosovës.
Konkretisht, ky financim do të mbështesë investimet në teknologji të gjelbra me performancë më të mirë dhe në përmirësimin e standardeve dhe proceseve të punës.
Këto investime synojnë t'i përafrojnë NVM-të kosovare me Bashkimin Europian dhe standardet ndërkombëtare, duke rritur konkurrencën e tyre në tregun vendor dhe jashtë tij.
Programi përfshin edhe një pako të bashkëpunimit teknik, që do të ofrojë asistencë në zbatimin, marketingun dhe monitorimin e programit. Kjo pako mbështetet nga Danimarka, si dhe Zvicra përmes Fondit të Ndikimit në Biznese të Vogla (SBIF).
NVM-të lokale do të përfitojnë edhe nga grantet stimuluese me vlerë deri në 15 për qind të shumës së kredisë, për t'i bërë investimet e tyre më të përballueshme. Grantet për programin rajonal financohen nga Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes SBIF, si dhe Danimarkës.
Shefi i BERZH-it për Kosovën Sergiy Maslichenko, deklaroi: “Kemi kënaqësinë të zgjerojmë partneritetin tonë afatgjatë me Raiffeisen Leasing Kosovë. Ky program është përshtatur enkas për të përmbushur nevojat e ekonomisë lokale, duke avancuar dy elementë thelbësorë: bizneset e vogla dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër. Duke shkuar përtej punëve të zakonshme, ne i shtyjmë firmat lokale drejt një të ardhmeje më të pastër dhe më të qëndrueshme.”
Gjon Gjonlleshaj, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Leasing në Kosovë, tha: “Instrumenti i financimit ofruar nga BERZH kontribuon në suksesin tonë të vazhdueshëm të ndërsjellë. Klientët tanë janë të kënaqur që mund të përfitojnë nga financimi me lizing, si dhe programi i granteve që ofrohet nga BERZH dhe donatorët e tij. Vlera e shtuar për biznese, e dukshme prej shumë vitesh, është rritur edhe më shumë nga bashkëpunimi ynë me BERZH-in. Prandaj, presim me padurim mundësitë e mëtejshme të biznesit në të ardhmen, pasi jemi të përkushtuar të mbështesim bizneset e Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt rritjes dhe zhvillimit.”
Linja kreditore është pjesë e Programit të BERZH-it për Ringjallje të NVM-ve, për të mbështetur rimëkëmbjen e firmave të vogla nga sfidat e fundit makroekonomike.
Raiffeisen Leasing Kosova i bashkohet një programi që ka histori të dëshmuar në vend në nxitjen e NVM-ve që të shkojnë përtej punës së zakonshme dhe të investojnë në teknologji moderne dhe të qëndrueshme.
Rreth 70 për qind e financimit të programit do të ndahet për investime në teknologjitë që kursejnë energji e janë të gjelbra, ndërsa pjesa tjetër do të mbështesë investimet në automatizim, rritjen e produktivitetit, cilësinë e produkteve dhe sigurinë.
Themeluar në vitin 2008, Raiffeisen Leasing Kosova është institucion financiar jo-bankar që kryesisht ofron financim lizingu për bizneset e vogla dhe individët privatë. Ky institucion klient afatgjatë i BERZH-it është lider në treg, me rreth 70 për qind të hises në treg.
BERZH është investitor institucional lider në Kosovë, duke investuar gjithsej 672 milionë euro përmes mbi 110 projekteve deri më sot.
*Donatorë të Fondit të BERZH-it për Ndikim në Biznese të Vogla janë Italia, Irlanda, Korea e jugut, Luksemburgu, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Suedia, Japonia dhe Fondi i Bashkëpunimit Teknik Tajvan Biznes-BERZH.